Dënim me kusht ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për vjedhje të rrymës

IMG_3434
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Maj 14, 2019

Klinë – Tre muaj burgim me kusht ka shqiptuar të martën, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, ndaj të akuzuarit për vepër penale “Vjedhje e shërbimeve”, Hasan Deliu.

Dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Prokurori i çështjes Astrit Gashi, para se të lexohet aktakuza, ka thënë se lidhur me këtë rast ka bërë rikualifikimin e veprës penale dhe të dispozitivit të aktakuzës.

“Rikualifikimi i veprës penale, nga neni 320, Vjedhja e Shërbimeve Komunale, e Kodit Penal i zbatueshëm gjerë me 14 janar 2019, e bëjmë rikualifikimin e nenit 314, të Kodit të Ri Penal, të zbatueshëm prej datës 15 prill 2019, përkatësisht me nenin 314, paragrafi l, lidhur me paragrafin 4, dhe paragrafin 6”, ka thënë prokurori Gashi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Gashi, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Prokurori Gashi, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, si dhe më pas me aktvendim këtë pranim të fajësisë, e ka aprovuar edhe gjykatësja, Sabrije Rraci.

Gjykatësja Rraci, tha se i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën të përgjithshme prej 50 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 janar 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Hasan Deliu, më parë dhe deri më 23 janar 2017, në shtëpinë e tij, në Klinë, gjatë kontrollit nga personat e autorizuar të KEDS-it, është konstatuar se posedon njehsorin elektrik, por është hasur në kyçje direkte në rrjetin elektronik, jashtë pikës matëse.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari pa autorizim ka shpenzuar energjinë elektrike, me çka të dëmtuarës, KEDS, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 159,79, euro. /Betimipërdrejtësi