Dënim me kusht ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për vjedhje pylli

Istog
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shtator 11, 2019

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, të mërkurën, e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “vjedhja e pyllit”, Liridon Zekaj.

Por, ky dënim nuk do të ekzekutohen nëse në periudhë verifikuese prej një viti, i pandehuri nuk kryen vepra të tjera penale.

Gjyqtari Arben Mustafaj tha se i akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale, të paguajë shumën prej 50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Mustafaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

Ndërkaq, në fjalën përfundimtare të palëve, prokuroi Muharrem Bajraktari, ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari Zekaj të shpallet fajtor, të dënohet sipas ligjit dhe të obligohet në shpenzimet procedurale.

Kurse, i pandehuri Zekaj, në fjalën përfundimtare tha se është penduar për veprimet e tij.

“Trungjet kam menduar se jam duke i marrë në pyllin tim, të cilin e kam afër dhe të njëjta i kam shfrytëzuar për nevojat e mia personale”, tha Zekaj.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë e ngritur më 15 maj 2019, e ngarkon të akuzuarin Liridon Zekaj, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 14 mars 2019, rreth orës 18:30, në Buavicë, rajoni ekonomiko-pyjor “Radusha”, të Komunës së Istogut, i pandehuri me qëllim të vjedhjes ka prerë 120 copë trungje të llojit të “Bungut”, me vëllim të përgjithshëm prej 4.20 metra kub.

Sipas aktakuzës, i pandehuri DBZHR- së, sektorit të pylltarisë i ka shkaktuar dëm material prej 537 euro. /BetimipërDrejtësi