Dënim me kusht dhe ndalim i vozitjes për një vit ndaj të akuzuarit që pranoi se me veturë goditi këmbësorin në Mitrovicë

Mitrovice
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Gusht 8, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarin për aksident trafiku, Kamer Beqiri.

Mirëpo, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy vjetësh, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Krahas kësaj, atij i është ndaluar vozitja e automjeteve të “kategorisë B”, për një vit, nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Po ashtu, i pandehuri është obliguar edhe me shpenzime procedurale në shumën prej 60.88 euro, me paushallë gjyqësor në shumë prej 20 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën në vlerë prej 30 euro.

Këtë dënim, gjykatësi VeljkoVuqetiq, e ka shpallur të enjten, pasi paraprakisht, në seancën e kaluar i pandehuri e ka pranuar fajësinë.

Gjykatësi Vuqetiq, ka bërë të ditur se si rrethanë lehtësuese për shqiptimin e dënimit ka marrë pranimin e fajësisë nga i akuzuari, gjendjen ekonomike, mos kryerjen e veprave tjera penale, si dhe natyrën e veprës penale.

Ndërsa, i akuzuari është njoftuar me të drejtën e tij për ankesë sa i përket lartësisë së dënimit, kurse, i dëmtuari për realizmin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 shtator 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Kamer Beqirit, të cilin e ngarkonte me veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 378 par 6 lidhur me par 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Beqiri, me 4 shkurt 2018, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Mitrovicë, duke drejtuar automjetin teknikisht jo në rregull të markës “VW 255”, dhe duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjeve kushteve dhe gjendjes së rrugës, pasi kishte kaluar “Urën e Gjakut”, kishte goditur këmbësorin, Bekim Nuha, i cili siç thuhet në aktakuzë, kishte pësuar lëndime të rënda trupore. /BetimipërDrejtësi