Dënim me gjobë prej 500 eurove për veprën penale “përdorim i paautorizuar i armës”
Raporton:Belkize LOSHAJ
Pejë – Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me gjobë prej 500 eurove Bekim Hasanaj i akuzuar për veprën penale ”përdorim i paautorizuar i armës”.
I akuzuari e ka pranuar fajësinë, ndërsa në seancë gjyqësore ka deklaruar se me të dëmtuarin Tahir Shala njihet që një kohë të gjatë dhe se kanë raporte të mira, duke shtuar se i vjen shumë keq për ngjarjen që ka ndodhur. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur si pasojë e moskujdesit dhe pa qëllim.
Prokurori Haxhi Sinanaj ka paraqitur para Gjykatës pranimin e fajësisë nga i akuzuari, për të cilin tha se e ka bërë në mënyrë vullnetare. Ai ka kërkuar nga gjykata të shqiptohet dënimi në pajtim më ligjin.
Gjyqtari i vetëm gjykues Sylë Lokaj, sipas propozimit të prokurorit të rastit dhe duke u mbështetur në pranimin e fajësisë nga i akuzuari ka dënuar atë me gjobë në vlerë prej 500 euro.
Sipas aktakuzës Bekim Hasanaj më 29 janar 2016, rreth orës 10:00, në lokalin ”Kajota”, në Pejë, pa autorizim ka mbajtur armë, e cila kishte shkrepur nga pakujdesia derisa ishte duke biseduar më të dëmtuarin Tahir Shala, duke e goditur në këmbën e majtë, mbi gju, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.