Dënim me gjobë për tre të akuzuarit se u rrahën mes vete

12022020
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Tetor 16, 2020

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të premten, ju ka shqiptuar dënim me nga 200 euro gjobë të pandehurve Lauran Demiri dhe Ermal Fazliu, për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” dhe 150 euro gjobë për të pandehurin Blertin Bislimi për veprën penale “sulm”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani, të akuzuarit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor, secili veç e veç, të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe në emër të shpenzimeve procedural shumën prej nga 20 euro, në afatin prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa të dëmtuarin e ka udhëzuar në kontest civil.

Ky aktgjykim është shpallur pasi që paraprakisht në seancën e së mërkurës, të akuzuarit, e kanë pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Në këtë rast, të akuzuarit Lauran Demiri, Ermal Fazliu dhe Blertin Bislimi, kanë kërkuar nga gjykata që ndaj tyre të shqiptohet një dënim  sa më butë, ngase janë penduar për kryerjen e kësaj vepre penale dhe se tani janë pajtuar në mes vete.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurorja Huma Jetishi dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësja e çështjes, Blerina Jakupi Ramadani.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarve Lauran Demiri, dhe  Ermal Fazliu, dhe Blertin Bislimi.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lauran Demiri dhe  Ermal Fazliu më 22 mars 2019, rreth orës 07:55, në  rrugën “Kemajl Haziri”, përballë shkollës së mesme  “Dëshmorët e Kombit”, në Viti, i pandehuri Lauran Demiri në bashkëveprim me të pandehurit Ermal Fazliu, për shkak të një mosmarrëveshje që kishin me të pandehurin Blertin Bislimi dhe Valon Ademi, më 21 mars 2019, në shenjë hakmarrje i sulmojnë fizikisht duke e goditur me grusht dore, në pjesë të ndryshme të trupit dhe në këtë rast nga ky sulm të dëmtuarit Erion Ferizi, ka pësuar edhe lëndime trupore, i cili për shkak të lëndimeve të pësuara kërkon ndihmë mjekësore në shtëpinë e shëndetit në Viti.

Me këtë të pandehurit  Lauran Demir dhe Ermal Fazliu akuzohen se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale  “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Blertin Bislimi, më 21 mars 2019, në lokalet e shkollës së mesme në Viti, me të miturin Valon Ademin, pas një mosmarrëveshje fillimisht verbale, me Lauran Demirin, dhe Ermal Fazliun, të njëjtit i sulmojnë edhe fizikisht duke i goditur me grushta dore me atë rast Ermal Fazliu ka pësuar lëndime në vetullën e majtë, i cili ka kërkuar edhe trajtim mjekësor, por ka theksuar së është lënduar gjatë lojës së futbollit.

Më këtë i pandehuri Blertin Bislimit, akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi” nga neni 187 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi