Dënim me gjobë për të akuzuarin që pranoi se kishte prerë dru në pyllin publik

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Tetor 9, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të mërkurën, e ka dënuar me 600 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje pylli, Besim Gashi.

Me aktgjykimin e shpallur nga gjykatësja Drane Simani, i akuzuari Gashi, është detyruar që gjobën dhe paushallin gjyqësor prej 20 euro, ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 8 tetor 2019, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Ismet Ukshini, sipas të cilit një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 nëntor 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Besim Gashi, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358, paragraf 1, dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, më 25 shtator 2018, rreth orës 11:30, në territorin e fshatit Goshicë të Vitisë, në vendin e quajtur “Te Trenat”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK-ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 13 trungje të ahut, me diametër në cung 16-18, në lartësi 17 cm, dhe gjatësi 8m, me vëllim të përgjithshëm prej:2,96 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 395 euro, shumë kjo me të cilën e ka dëmtuar të APK-në, zyra në Viti.

Sipas diapozitivit të dytë të aktakuzës, më 7 tetor 2018, rreth orës 09:30, në territorin e fshatit Goshicë, të Vitisë, në vendin e quajtur “Tren”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK-ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 30 trungje të bungut, me diametër në cung 16-18, në lartësi 17,5cm, dhe gjatësi 8 m, me vëllim të përgjithshëm prej:3,72 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 476 euro, shumë kjo me të cilën e ka dëmtuar të APK, zyra në Viti.

Sipas diapozitivit të tretë të aktakuzës, më 11 tetor 2018, rreth orës 09:30, në territorin e fshatit Goshicë, të Vitisë, në vendin e quajtur “Tren”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK-ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 31 trungje të bungut, me diametër në cung 16-18, në lartësi 17,5cm, dhe gjatësi 8 m, me vëllim të përgjithshëm prej:3,84 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 492 euro, shumë kjo me të cilën e ka  dëmtuar të APK, zyra në Viti.

Ndërsa, sipas diapozitivit të katërt të aktakuzës, më 14 tetor 2018, rreth orës 10:00, në territorin e fshatit Vërban, të Vitisë, në vendin e quajtur “Kodra e Zezë”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK–ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 29 trungje të ahut dhe shkozë, me diametër në cung 16-24, në lartësi 17-23 cm, dhe gjatësi 11-15m, me vëllim të përgjithshëm prej:5,11 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 690 euro, shumë kjo me të cilën e ka dëmtuar të APK, zyra në Viti. /BetimipërDrejtësi