Dënim i kushtëzuar ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupet terroriste

13.02.2020
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Shkurt 13, 2020

Prishtinë – Dy vjet burgim me kusht ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarës për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Valbona Berisha, pasi ajo e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarës Berisha është shpallur të enjten nga gjykatësja e Departamentit Special, Shadije Gërguri.

Ky dënim me kusht nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara Berisha nuk kryen vepër të re penale brenda një afati trevjeçar.

Në rast të revokimit të dënimit me kusht në atë me burgim, në kohëzgjatje të dënimit do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga e akuzuara, prej 23 prillit e deri më 18 qershor 2019.

Përveç kësaj, e akuzuara është obliguar nga gjykata që të vizitojë psikologun apo këshilluesin dhe që të veprojë sipas rekomandimeve të tyre, në një kohëzgjatje prej dy viteve.

Gjykatësja Gërguri ka urdhëruar Shërbimin Sprovues që të mbikëqyrë zbatimin e dënimit me kusht dhe këtyre detyrimeve të caktuara për të akuzuarën.

Në të kundërtën, sipas gjykatëses, nëse e akuzuara nuk u përmbahet këtyre detyrimeve, dënimi me kusht do të revokohet në burgim efektiv.

Gjykatësja Gërguri deklaroi se e akuzuara lirohet nga pagesa e shpenzimeve procedurale për shkak se ka gjendje të rënduar ekonomike.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 dite nga pranimi i tij.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 20 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Valbona Berisha, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, ajo akuzohet se me qëllim për t’iu bashkëngjitur grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra në Siri dhe Irak, më 26 shtator 2014, në ora 07:17, duke vepruar me dashje dhe dijeni për veprimet e veta, është larguar nga Kosova, duke kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, së bashku me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin, ashtu që nga aeroporti i Shkupit kanë udhëtuar drejt Stambollit dhe më tutje Sirisë, ku pas bashkimit në grup terrorist, burri i saj, Ekrem Hasani, është vrarë më 30 prill 2015, kurse e akuzuara Berisha ka qëndruar atje deri në kohën kur është deportuar në Kosovë më 20 prill 2019. /Betimipërdrejtësi