DËMTOI BLLOMBËN E NJEHSORIT ELEKTRIK, DËNOHET ME TRE MUAJ BURGIM ME KUSHT
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Xhezair Hysenaj është dënuar me tre muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Ferizajt për veprën penale të dëmtimit të vulave zyrtare të KEK. Vendimi është marrë pasi i pandehuri e ka pranuar fajësinë.
Dënimi me kusht i kalon nëse brenda një viti nuk kryen asnjë vepër penale.
Me aktgjykimin e shpallur, Hysenaj është lirua nga shpenzimet procedurale për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.
Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtarja individuale e çështjes, Hysenije Gashi.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte akuzuar Xhevair Hysenajn se kishte kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Kjo sepse më datë 11 mars 2013, në kohë të pacaktuar në shtëpinë e tij në fshatin Petrovë, Shtime, me rastin e kontrollit të njehsorit elektrik nga ana e punëtorëve të autorizuar të KEK-ut është konstatuar se ka dëmtuar vulën zyrtare – bllombën me numër C-7000855871, të vendosur nga punëtorët e KEK-ut – Divizioni i Furnizimit në Ferizaj. Kjo bllombë ishte vendosur me datë 11 janar 2013 kur ishte bërë ç ’kyçja për shkak të borxhit .