Demolli-Nimani: Ka gjyqtarë që me muaj nuk publikojnë aktgjykime, paguhen me paga të majme

Raporton: Medina KADRIU

Mexhide Demolli- Nimani, nga Lëvizja Fol, ka thënë se ka gjyqtarë që me muaj nuk publikojnë asnjë aktgjykim të lëndëve të tyre dhe prapë vazhdojnë të paguhen me paga të majme.

Ajo ka thënë se tash e disa vite e monitorojnë publikimin e aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës.

“Do të thotë është vetëm një prej hallkave të transparencës sa i përket sistemit të drejtësisë dhe besoj që nga viti në vit kemi parë përmirësim në këtë drejtim pavarësisht që ligji është në fuqi nga viti 2016 dhe nuk është zbatu ashtu siç duhet. E keqja këtu qëndron prapë te disa gjyqtarë që ndoshta ndodh me muaj nuk publikojnë asnjë aktgjykim të lëndëve të tyre dhe prapë ata vazhdojnë të paguhen me ato pagat e majme që i thamë”, ka thënë Demolli- Nimani në “Tempus” të KTV-së.

Sipas saj,  kohën e fundit ka filluar një përmirësim në këtë rast, sidomos te Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Kohën e fundit ka filluar një përmirësim në këtë rast sidomos te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të ketë një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe për dallim prej Këshillit Prokurorial. Ne i dimë, ishim një grup që edhe e monitoruam procesin e rekrutimit të Kryeprokurorit dhe  kemi prit nga muaji prill deri më tani përmes kërkesës për qasje që e kemi bërë në KPK, dokumentet nga ky institucion, në mënyrë që të na japë qasje në arsyetimet e secilit anëtar të panelit për secilin prej kandidatëve. Fatkeqësisht kjo na mori neve shumë kohë, do të thotë në prill, kur e kishim bë kërkesën deri tani së fundmi. Edhe e tëra u arrit deri në momentin kur Agjencia për Informim dhe Privatësi vendosi ta obligojë këtë institucion të na japë qasje sepse në të kundërtën sikur mos ta kishim këtë institucionin tjetër, aty qasje nuk do të kishim asnjëherë”, ka thënë ajo.

Demolli-Nimani tha se shpresojnë që do të ketë një qasje më të mirë në këtë aspekt.

“Shpresoj shumë që ndryshimet ligjore që do të bëhen dhe ligji i  ri për KPK do të ndryshojë ndoshta edhe përbërja, do të kemi risi edhe në këtë drejtim ndoshta pak a shumë do të kemi një qasje më të mirë siç e kemi shembullin e KGJK, por lë shumë për të dëshiruar ashtu siç është aktualisht dhe siç ka qenë ndër vite mund të them”, ka thënë ajo. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë