DEMAJ DHE KRYEZIU DËNOHEN ME GJOBË PËR ARMË

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Aldrin  Demaj dhe Veton Kryeziu janë dënuar të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan me gjobë dhe me kusht për veprat penale që ndërlidhen me armët. Aldrin Demaj është dënuar me gjobë në shumën prej 400 eurove për veprën penale “mbajtje në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Veton Kryeziu është dënuar me gjobë në shumë 350 eurove, si dhe dënim të kushtëzuar burg prej 7 muajve për veprën penale “Import, eksport, furnizim, transportim, këmbim ndërmjetësim ose shitje e pautorizuar e armëve”.

Para shpalljes së aktgjykimit nga gjyqtari Agim Ademi, në këtë seancë të akuzuarit Aldrin Demaj dhe Veton Kryeziu e kanë pranuarë fajësinë për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Trupi gjykues e ka shpallur aktgjykimin dënues, duke theksuar Aldrin  Demaj është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 400 eurove, të cilin dënim me gjobë i akuzuari do ta paguaj në afat prej  15 ditësh, në të kundërtën dënimi me gjobë do të zëvendësohet me dënim me burg për veprën penale “mbajtje në pronësi, në kontroll ose posedim të armëve”. Veton Kryeziu është dënuar me gjobë në shumën prej 350 eurove, dhe do ta paguj në afat prej 15 ditësh, nëse nuk e paguan të njëjtit do t’i konvertohet gjoba me dënim me burgim si dhe është dënuar me kusht me burg në kohëzgjatje prej 7 muajve, e të cilin dënim nuk do ta vuaj nëse i akuzuari në afat prej një viti nuk do të kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën dënimi me kusht do t’i revokohet për veprën penale import, eksport, furnizim, transportim, këmbim ndërmjetësim ose shitje pa autorizuar e armëve apo materieve plasëse.

Ky proces gjyqësor është zhvilluar sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ku Aldrin  Demaj më 20 nëntor 2014, në fshatin Koretin, Komuna e Kamenicës, pa autorizim në shkelje të ligjit të zbatueshëm për armët ka siguruar dhe mbajtur në pronësi armë të zjarrit dhe atë një revole të markës “Ekol special 99”, të cilën e ka blerë nga një i mitur .

Veton Kryeziu akuzohet se më 20 nëntor 2014, pasi që paraprakisht ka siguruar dhe ka mbajtur armë në pronësi në kundërshtim me ligjin e zbatushëm për armët, dhe të njëjtën ia ka shitur një të mituri.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë