Del para gjykatës i akuzuari që tentoi t’i sulmojë me thikë zyrtarët policorë në Qendër të Gjakovës

Nikoll Domgjoni foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Janar 26, 2021

Gjakovë – I akuzuari për sulm ndaj zyrtarëve policor, Nikoll Domgjoni, është paraqitur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjakovës.

Në fillim të seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Domgjoni, avokati Ylli Bokshi, i caktuar sipas detyrës zyrtare, tha se pas informatave që mori nga gjykatësja se ndaj të akuzuarit Domgjoni janë të incuara edhe dy lëndë të tjera për vepër penale të natyrës së njëjtë dhe për vepër penale të posedimit të paautorizuar të narkotikëve propozoi që të bëhet bashkimi i këtyre lëndëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai gjithashtu i propozojë gjykatës që  në këtë çështje të ftohet eksperti nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, të cilët e kanë dhënë mendimin e tyre lidhur me shëndetin mendor të të akuzuarit. Ai propozojë që edhe masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit të zënvendësohet me një masë tjetër më të butë.

E prokurori Enis Gashi nuk e ka kundërshtuar propozimin e avokatit Bokshi që të bëhet bashkimi i lëndëve penale duke marrë për bazë parimin e ekonomizimit të procedurës penale, ndërsa tha se në lidhje me propozimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit ia lë në vlerësim të gjykatës.

Ndërsa, të dëmtuarit, përkatësisht zyrtarët policorë Dalmond Përgjegjaj dhe Albenita Seferaj deklaruan se i bashkëngjiten ndjekjes penale, ndërsa nuk kërkojnë kompensim dëmi.

Më pas, gjykatësja Ilirjana Hoti e ka aprovuar propozimin për bashkimin e lëndëve ashtu që të zhvillohet procedura e përbashkët për tri vepra penale. Si dhe e ka aprovuar propozimin që të ftohet eksperti i psikiatrisë forenzike.

Në këto rrethana, seanca është ndërprerë derisa ajo e radhës është caktuar që të vazhdojë më 4 shkurt.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Nikoll Domgjoni po akuzohet se më 2 nëntor 2020, rreth orës 16:45, në rrugën “UCK” në Gjakovë, saktësisht përballë Qendrës Tregtare “Viva Fresh”,  me mjet të rrezikshëm, thikë dhe shufër metalike seriozisht i kanos se do t’i sulmojë zyrtarët policor në kryerjen e detyrave zyrtare dhe atë të dëmtuarit, Albenita Seferaj, Dalmond Përgjegjaj dhe toger Qamil Gashi.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që derisa i akuzuari kishte dalë në rrugë duke i kërcënuar qytetarët me një thikë dhe shufër metalike, zyrtarët policor pas këtyre informatave ishin nisur në drejtim të vendit të ngjarjes ku edhe ndërhyjnë, i akuzuari me të njëjtën brisk dhe shufër në dorë tentojë t’i sulmojë zyrtarët policor duke e hedhur shufrën metalike në drejtim të të dëmtuarit Dalmond Përgjegjaj, por i dëmtuari është shmang nga goditja, ku më pas i akuzuari e ndjek të dëmtuarën Albenita Seferaj me thikë për rreth 30  metra por e njëjta largohet me vrap duke ju shmangur goditjeve, po ashtu i njëjti tenton ta sulmojë me thikë edhe të dëmtuarin Qamil Gashi, mirëpo i njëjti i shamnget goditjes, ku më pas zyrtarët policor e arrestojnë të njëjtin.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personave zyrtarë” nga neni 402 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.  /BetimipërDrejtësi