Deklarohet sërish i pafajshëm ish-gjeodeti i Komunës së Prishtinës i akuzuar për korrupsion

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë  – Pas dështimit të disa seancave me radhë, në seancën e së hënës, i akuzuari Haxhi Haskaj, ish-gjeodet në Komunën e Prishtinës është deklaruar sërish i pafajshëm për akuzat për përvetësim në detyrë.

Këtë deklarim, i akuzuari Haskaj e dha pasi që u konsiderua e lexuar aktakuza e prokurorisë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi tha se qëndron pranë fjalës hyrëse që ka dhënë në këtë çështje penale, më 2 nëntor 2017, duke thënë se nuk ka asgjë për të shtuar.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ndue Kurti, deklaroi se e përkrah fjalën e prokurores dhe se mbetet pranë fjalës hyrëse të paraqitur më 2 nëntor 2017.

I njëjti tha se pala e dëmtuar paraqet kërkesën pasurore juridike në lartësi prej 2 milionë euro.

‘‘Kjo duke  bazuar në faktin se i pandehuri i ka tjetërsuar 68 ari palëve të dëmtuara, kurse vlera e një ari sipas vlerësimit duke u bazuar në vlerësimin e tregut është 30 mijë euro për ari’’, tha avokati Kurti.

Kurse, i akuzuari Haskaj tha se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të paraqitur më 2 nëntor 2017, të cilën e ka paraqitur avokati Vesar Vehapi në atë kohë.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitarëve, Bekim Gashi dhe Xhemajl Elshani.

Dëshmitari Gashi tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici më 20 shkurt 2012 dhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 11 janarit 2018 dhe se nuk ka asgjë për të shtuar.

Lidhur me këtë dëshmitar, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kurti tha se ngastrën të cilën e ka ble dëshmitari nuk lidhet me veprimet e të akuzuarit, sepse sipas tij, ky dëshmitar e ka blerë atë në mënyrë të rregullt dhe e pa paguar çmimin e shit-blerjes.

Po ashtu edhe dëshmitari Elshani, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Llugiqi tha se mbetet pranë dëshmisë së dhënë në polici më 20 shkurt 2012 dhe deklarimit të dhënë në seancën e 29 janarit 2018.

I pyetur nga avokati Kurti, dëshmitari Elshani tha se ka blerë 3.10 ari dhe se këtë blerje e kishte kontraktuar me tani të akuzuarin Haxhi Haskaj, në vlerë prej 21 mijë euro, të cilën pagesë sipas tij, ia kishte dhënë Haskaj në kash.

Ai shtoi se ka pasur të njohur autorizimin e Haskaj nga Mirosllav Popoviq ashtu siç e ka në letër, duke shtuar se Haskaj nuk e kishte njoftuar nëse ishte gjallë apo jo Popoviq.

Sipas dëshmitarit Elshani, ndarja e parcelave ishte bërë para kontraktimit duke shtuar se kishte shkuar me Haskaj me shiku vendin dhe e kishin caktuar atë kurse, në një ditë tjetër, gjeodetët e komunës pa prezencën e tij i kishin vendosur pikat dhe se për këtë e kishte informuar Haxhi Haskaj.

Ndërsa, i akuzuari Haskaj lidhur me këtë dëshmitar sqaroi se është blerësi i dytë, pasi sipas tij, blerësi i parë është i paraluftës.

‘‘Me sa më kujtohet tani i ndjeri ka qenë i Podujevës dhe nuk më kujtohen të dhënat rreth emrit, por i njëjti ka punuar në Suedi dhe me shpejtësi blerësi i parë e ka blerë’’, tha ai.

I pyetur nga anëtari i trupi gjykues, gjykatësi Agim Kuçi se pas blerjes së tokës, kur e kishte kuptuar për problemet lidhur me këtë pronë, i njëjti sqaroi se deri sa ishte thirrur nga policia, në vitin 2018 për të dhënë deklaratë nuk kishte kuptuar se ka ndonjë problem.

I njëjti sqaroi se pasi e kishte blerë parcelën dhe kishte paguar çmimin tek Haskaj, kishte nxjerrë fletën poseduese në emrin e tij dhe e kishte vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë si dhe kishte paguar edhe taksën në shumë prej 100 euro.

Tutje shtoi se pas një viti apo dy, kishte filluar ndërtimin në atë pronë, ku ishin paraqitur tre inspektorë të cilët i kishin kërkuar të paraqitet në Komunë.

‘‘Kam shkuar në Komunë dhe ja kam dërguar fletën poseduese, por para se me dërgua fletën poseduese ata më pyetën ‘a është pronë e jotja apo e shtetit’, sepse ata më kanë thënë që kanë dyshuar se e njëjta parcelë është e shtetit, e kur ja kom dërgu fletën poseduese, ata më kanë thanë që sa i përket neve je në rregull, e për leje për ndërtim duhet me u drejtu tjetër kund’’, deklaroi dëshmitari Elshani.

Duke e përsëritur se pronën e ka të regjistruar në emrin e tij personal, ai tha se nuk ishte penguar asnjëherë nga askush.

Në këtë seancë munguan dëshmitarët Abdyl Duraku, Shaban Govori, Shaqir Kqiku, Shefqet Shkodra, Rrushe Lajqi, Abdullah Shabani dhe Mustafe Havolli, për të cilët kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi tha se do të ftohen me ftesa të rregullta, pas verifikimit të adresave  përmes policisë.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është caktuar për 26 korrik 2022.

Ky rast ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, por pasi që e njëjta ka kaluar në Departamentin Special të kësaj gjykate, lënda ka kaluar te gjykatësja Medie Bytyqi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 16 dhjetor 2014, Haxhi Haskaj akuzohet se kishte marrë autorizim nga Millovan Mirosllav Popoviq, më 16 korrik 1998, për të kryer shitblerjen e një ngastre kadastrale, me sipërfaqe prej më shumë se një hektar tokë, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë.

Mirëpo, këtë autorizim Haskaj, sipas prokurorisë, e ka përdorur edhe pas vdekjes së Mirosllav Popoviq, në mënyrë që sa ishte duke punuar në Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, si gjeodet ka bërë ndarjen fizike të ngastrave për blerësit e tyre.

Haskaj, sipas aktakuzës, pretendohet se ngastrën tokësore e kishte ndarë në 18 parcela me pronarë të ndryshëm, sipas fletëve poseduese dhe nga këto 18 parcela, 8 prej tyre i kishte shitur duke përdorur autorizimin e të ndjerit, Popoviq.

Me anë të shitjes së këtyre parcelave, sipas aktakuzës, Haskaj kishte përfituar mbi 315 mijë (DM) marka gjermane, të atëhershme, të cilat para nuk ua kishte dhënë familjarëve të të ndjerit Mirosllav, duke i shkaktuar dëmin e lartcekur. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë