Deklarohet sërish i pafajshëm i akuzuari se vodhi portofolin me 1 mijë franga e 500 euro

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- I akuzuari Fatos Hoxha është deklaruar i pafajshëm se vodhi portofolin me 1 mijë franga e 500 euro më 2018 në Lipjan, pasi theu xhamin e një “Mercedesi”.

Këtë deklarim, i akuzuari Hoxha e bëri në seancën e shqyrtimit të dytë, të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e ndjej veten fajtor për këtë vepër penale”, ka thënë Hoxha.

I akuzuari ka shtuar se mbrojtjen më gjjerësisht do ta prashtrojë në shqyrtimin gjyqësor ku edhe do ta ftojë mbrojtësin e tij, Mentor Neziri.

Lidhur me fajësinë, i akuzuari Hoxha ishte deklaruar edhe në seancën e shqyrtimit fillestar më 3 shtator, ku ishte deklaruar i pafajshëm.

Kurse, prokurori Besnik Jakupi ka thënë se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe meqenëse nuk ka kundërshtime as kërkesë për hudhje të së njëjtes, ai propozoi që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor, e që sipas tij, do të vërtetohet fajësia e të pandehurit.

Pas kësaj, gjykatësi Avdirrahman Gashi përmes aktvendimit e ka përfunduar seancën e shqyrtimit të dytë, ndërsa seanca e radhës në këtë çështje penale u caktua më 8 nëntor 2021.

Gjykatësi Gashi, tha se me thirrje të ftohet mbrojtesi i të akuzuarit, Mentor Neziri dhe i dëmtuari Ragip Alabaku.

Ndryshe, i akuzuari Hoxha në seancën e sotme është sjell me urdhëresë, nga njësiti për transportin e të burgosurve, pasi i njëjti gjendet në vuajtje të një dënimi në Hajvali.

Aktakuza e ngritur në shtator të vitit 2019 nga Prokuoria Themelore në Prishtinë, ngarkon Fatos Hoxhën se në tetor të 2018-ës në parkingun e Qendrës Tregtare “Interex” në Lipjan me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme ka vjedhur portofolin me 1 mijë franga zvicerane, 500 euro, letërnjoftimin zviceran dhe disa kartela të bankës, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material.

Në aktakuzën thuhet se, këto veprime i pandehuri i ka bërë pasi fillimisht e ka thyer xhamin e përparmë të djathtë të veturës “Mercedes” me ngjyrë hiri.

Me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë “ nga neni 327, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në shtatë vjet.  /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Përsonat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë