DEKLAROHET PRONARI I “NIC HOLDING” I AKUZUAR PËR MASHTRIM

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka filluar shqyrtim gjyqësor kundër Naser Kelmendit pronar i kompanisë “Nic Holding”, i akuzuar për veprën penale mashtrim në detyrë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se Naser Kelmendi në vitin 2007 kishte kryer veprën penale “Mashtrim në detyrë”, duke keqpërdorur pozitën zyrtare si drejtor i kompanisë “Nic Holding” me seli në Malishevë-Obiliq, me qëllim që t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm vetes, duke lajthitur Nue Stanaj pronar i kompanisë “Rokshped” me seli në Podgoricë. Sipas prokurorisë, Kelmendi i kishte premtuar Stanajt se do të eksportojë për nevojat e kompanisë së tij verë të kuqe, edhepse nuk kishte disponuar me atë artikull, duke lëshuar dy profatura, njëra në shumë prej 628.080 euro kurse tjetra prej 1.210.300 euro. Dërgesën e verës i akuzuari ishte dashur ta bëjë brenda 30 ditësh e këtë s’e kishte bërë, kurse shumën prej gjithsej 1.836.380,00 euro pretendohet ta ketë përdorë për nevoja personale.

Përgjatë seancës, të premten, iu dha mundësia të akuzuarit Naser Kelmendi që të shpalos versionin e tij lidhur me atë se si kishte rrjedhë ngjarja.

Kelmendi kishte themeluar kompaninë “Nic Holding” Malishevë-Obiliq në vitin 2001 dhe veprimtaria e kësaj kompanie kishte të bëjë me distribuim të derivateve të naftës. Ai shpjegoi se fillimisht kanë pasur një raport tejet të mirë profesional dhe shoqëror me pronarët e kompanisë “Rokshped” nga Podgorica, raport ky i cili ka datuar para luftës në Kosovë, përkatësisht që nga viti 1995. Kelmendi tha se ideja për bashkëpunim dhe formën e përcjelljes së avanseve të parave ka derivuar nga vetë pronarët e “Rokshped” Anton dhe Nue Stanaj. Të dy kompanitë kishin lidhur marrëveshje gojore për biznes në fushën e derivateve të naftës dhe mazutit. Fillimisht ata kishin dashur transaksionet t’i bënin nëpërmjet bankës NLB në Podgoricë, megjithatë ajo i kishte refuzuar me arsyetimin se kanë strategji ekologjike andaj nuk pranojnë me kompani të tilla. Sipas Kelmendit këtu kishte lindur ideja nga ana e Nue Stanaj që të bëjnë pro fatura për verë, të cilat fatura përfaqësuesit e “Rokshped” ia kishin dërguar kompanisë “Nic Holding”. “Ideja për dërgimin e avansit rrodhi prej tyre, sepse ata kishin probleme me shtetin, përkatësisht me Serbinë dhe Malin e Zi. Anton Stanaj, njëri prej pronarëve ka bërë burg për rreth katër viteve në Serbi dhe nga ajo që kam lexuar nëpër media ka qenë i dënuar për korrupsion, krim të organizuar dhe për veprimtari të kundërligjshme me narkotikë”, deklaroi i akuzuari.

Kështu avansi i parë ka figuruar me një shifër prej 628.080,00 euro, kurse i dyti ka qenë prej 1.210.300,00 euro në vitin 2007. Ai theksoi se përgjatë viteve 2007-2008 akoma nuk ishte në fuqi ndonjë ligj kundër shpëlarjes së parave, andaj pagesat e parave ata i kishin bërë kesh, pra duke i dërguar paratë përtej kufijve apo duke ardhur përfaqësuesit e “Rokshped”-it në Kosovë për të marrë paratë. Shuma e këtyre pagesave ka variuar prej 29.200 euro deri më 110.000 euro.

Në vitin 2009 “Nic Holding” kishte filluar të bënte pagesat, përkatësisht të kthejë këtë avans kur dhe kishin filluar mosmarrëveshjet mes dy kompanive. I akuzuari tha se kishte pasur presion nga vëllezërit Stanaj të cilët, pasi kishte dalë Anton Stanaj nga burgu, kishin llogaritur kamata joligjore prej 400.000 eurove për një periudhë të shkurtër.

“Kështu pas një presioni të gjatë, vëllezërit Stanaj erdhën në zyrën time dhe më detyruan të nënshkruaj një marrëveshje jashtëgjyqësore që e posedon dhe gjykata”, tha Kelmendi.

Marrja në pyetje e të akuzuarit u ndërpre ngase trupi gjykues kishte paraparë të procedojë me një rast tjetër prej orës 10:00 andaj vazhdimi i kësaj seance do të bëhet në datën 14 mars 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë