DEKLAROHET ISH-TOGERI MENDERES SINANI, I AKUZUAR PËR 7 VEPRA PENALE

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Ish-togeri në rajonin e Ferizajit Menderes Sinani, të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka shpalosur para trupit gjykues versionin e tij lidhur me atë se si kishin rrjedhur disa ngjarje, gjatë kohës kur pretendohet se ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.
Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij, avokati Aziz Rexha, i akuzuari Menderes Sinani ka deklaruar fillimisht për përvojën e tij profesionale si pjesëtar i Policisë së Kosovës, të cilën punë e kishte filluar në vitin 2000. “Në Policinë e Kosovës jam punësuar në vitin 2000. Diku pas 3 muajve unë kam kaluar në Hetimet Rajonale për Krime të Rënda dhe ashtu kam vazhduar deri në vitin 2004. Në vitin 2004 jam graduar me gradën e rreshterit, dhe pastaj kam kaluar prapë në fushën e patrollës për shkak se procedurat kanë qenë të tilla”. Tutje, i pandehuri ka shpjeguar se pas përfundimit të atij trajnimi, në vitin 2005, është graduar me gradën e togerit dhe pas një kohe shumë të shkurtër është emëruar Shef i Hetimeve të Specializuara në Rajonin e Ferizajit. “E kam udhëhequr njësitin e personave të zhdukur, njësitin e anti-drogës dhe njësitin kundër trafikimit me qenie njerëzore. Ajo punë ka vazhduar deri në vitin 2010, kur është bërë një ndryshim i strukturës organizative dhe është dashur të orientohem në njërin drejtim”. Sinani shpjegon se ka zgjedhur të orientohet në njësitin kundër trafikimit me qenie njerëzore, në të cilin njësit ka punuar me pesë persona, policin Enver Ademi, Nazim Osmani, Valdete Hyseni, Besim Shabani dhe rreshterin Bashkim Gashi. Pas shpjegimit të mënyrës se si funksionon ky njësit, i akuzuari Menderes Sinani filloi t’i shpjegojë rrethanat se si e kishte njohur të dëmtuarin në këtë rast, Bidajet Sylejmanin, i cili gjatë asaj kohe ishte i akuzuar pikërisht për veprën penale të trafikimit me qenie njerëzore, me të cilat çështje merrej njësiti të cilin e udhëheqte Menderesi.
Sinani rrëfen për dy rastet e arrestimit të Bidajet Sylejmanit, ku në të dyja këto ishte i dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore. “Bidajet Sylejmanin personalisht e kam njohur pas ndalimit në Polici herën e parë”. Sipas të akuzuarit, informatat  për rastin e parë kanë qenë për trafikim të femrave nga Shqipëria e të cilat janë martuar në territorin e Shtërpcës, nga e cila komunë sihte edhe Bidajeti, ndërsa rasti i dytë kishte të bënte me një shtetase serbe. Megjithatë, pas arrestimit të parë të Bidajetit, tani i akuzuari Menderes Sinani, përmend disa raste ku ishin të përfshirë vëllau i Bidajetit, Arben Sylejmani dhe burri i motrës së tij Xhemshir Beqiraj  të cilët poashtu janë të dëmtuar në këtë rast, dhe kolegu i Menderesit, polici Besim Shabani, i cili poashtu është i akuzuar në këtë shqyrtim gjyqësor, e për të cilin ka përfunduar procedura.
Në deklaratën e tij thuhet se pas arrestimit të parë, gjatë kohës kur po punonte me kolegun e tij Besim Shabani, ka pasur disa takime ku përmes tij ai ishte njoftuar për herë të parë me Xhemshir Beqirajn dhe Arben Sylejmanin, pasi Besimi i njihte ata mirë. I pandehuri Sinani shpjegon se si kanë ndodhur disa takime të cilat konsideroheshin si të rastësishme, por që në të vërtetë kishin një prapavijë, e që sipas deklaratës së tij, ato ishin rregulluar në atë mënyrë që përmes Besim Shabanit, Xhemshir Beqiraj dhe Arben Sylejmani të nxirrnin informacione nga Menderesi për rastin e Bidajetit, dhe të ndikonin në një mënyrë që ai ti ndihmonte Bidajetit për të shpëtuar, duke e arsyetuar se ai nuk kishte bërë asnjë vepër penale.” As Besimi, as Xhemshiri, as Arbeni e as ndonjë anëtar i familjes Sylejmani nuk kanë bërë as edhe një bisedë me mua për të më dhënë ndonjë para, apo diçka tjetër për t’i ndihmuar Bidajetit, dhe në prezencën time kurrë nuk ka pas këso bisede. Bisedat me mua kanë pasur të bëjnë vetëm me keqardhjen për atë çka i ka ndodhur Bidajetit, dhe biseda se kinse ju ka bërë e padrejtë. Biseda tjera nuk ka pasë. As nuk me kanë ofru ndonjë gjë e as nuk kam marrë për rastin e Bidajeti”, shpjegon ai. Mirëpo, tani i akuzuari Sinani thekson se në secilin takim kishte refuzuar të fliste për gjërat që kishin të bënin me punën e tij, madje i kishte sugjeruar ata që nëse duan të dijnë më shumë rreth arrestimit të Bidajetit të shkojnë në stacionin policor, ashtu siç edhe duhet vepruar me rregull.  Mbi të gjitha, Menderesi gjatë tërë kohës thekson se kolegun e tij, policin Besim Shabani nuk e kishte njohur para se ata të takoheshin në Polici, gjatë kohës kur të dy punonin aty. Tutje ai thekson se nuk e ka ditur se kolegu i tij Besim Shabani e kishte keqpërdorur atë për një kohë të gjatë për interesa personale. “Besimi më ka keqpërdorë mu, unë tash e di, se atëherë nuk e kam ditë. Besimi e ka keqpërdorë organizatën policore, edhe gjyqin. Tash e njoh Besimin se atëherë nuk e kam njohur”.

Sinani shpjegon edhe rastin kur ka shkuar në shtëpinë e Bidajetit, pak para se ky i fundit të arrestohet për herën e dytë, duke menduar se kishin dëshirë ta njohnin pasi siç thonin ata, Menderesi ishte njëfarë nipi i tyre dhe vazhdimisht përmendnin faktin se babi i Bidajetit dëshiron ta takojë. “Kam shku në shtëpinë  Bidajetit, diku mes muajit dhjetor 2012. I kam pas disa shprehje nga Besim Shabani që të shkoj te famlija e Bidajetit. “Ti pe njeh Xhemshirin? M’ka lodhë tu më thirrë në telefon. Po kërkon që unë dhe ti të shkojmë të baba i Bidajetit sepse të ka nip dhe po ka qef me të njoftë” më ka thënë Besimi”. I akuzuari thekson se nuk ka shkuar, pasi nuk ka pasur kohë. Megjithatë përpjekjet e Xhemshirit dhe Besimit për këtë gjë kanë vazhduar vazhdimisht, deri sa kanë arritur në atë pikën ku ai ishte i ftuar në një organizim të mbajtur në Ferizaj e në të cilin do të shpallej sportisti i vitit 2012 në Kosovë, e ku konkurent ishte edhe vet djali i tij. “Atë natë një prej konkuruesve ka qenë edhe djali im, dhe në ndërkohë derisa unë kam qenë në restorant, më ka thirrë Besimi në telefon dhe më ka pyet ‘Ku je?’. I kam tregu se ku jam dhe më ka thënë që ‘Xhemshirin e kam këtu dhe ka ardhë me na marrë e me na qu te baba i Bidajetit’. Unë i kam thënë ‘nuk kam kohë’. ‘Është këmbëngulës Xhemshiri’ më ka thënë Besimi. Unë i kam thënë që ‘nuk muj me ardhë’ edhe e kemi mbyllë telefonin”. Tutje, Menderesi deklaron se pas 10 minutave nga biseda telefonike, Besimi dhe Xhemshiri janë paraqitur në lokalin ku ai gjendej, dhe ishin ulur në tavolinë me të. “Kanë ndenjur aty dhe në ndërkohë, pas 30 apo 40 minuta u bë shpallja e sportistit të vitit. Në atë njoftim, sportisti i vitit u shpall djali im. Jemi qu e jemi përqafu se shumë i gëzushëm kam qenë, dhe në ato momente është mbyllë ajo ceremonia. Derisa mysafirët e ftuar kanë vazhdu me pije dhe ushqim, në atë moment Xhemshiri më ka thënë dhe kurrë nuk e harroj “Në këtë gëzim po shkojmë edhe të daja yt, ta gëzojmë edhe dajën”. Në atë moment i kam thënë ‘kena me shku’”. Pasi kanë shkuar në shtëpi te Bidajeti, Menderesi shpjegon se si ishte mirëpritur, duke theksuar se gjatë asaj natë nuk ishte përmendur asnjëherë çështja e arrestimit të Bidajetit, me te cilin kishte raporte të mira në ato kohë, por që nuk e kishte ditur qëllimin e vërtetë të tij.” Do të thotë unë tani mendoj se ftesën që ma ka ba Bidajeti në familjen e tij, sikurse që jam nip i tij, ka pas qëllim. Qëllimi i tij ka qenë me u njoftu me mu ma thellësisht, sepse ky e ka ditë që ka edhe vepra të tjera, dhe pse më njeh tash mu më mirë, ka mendu që do të kalojë më lehtë. Kështu edhe ndodhi”. Sipas deklaratës së të akuzuarit, pas dy javë ndodhi edhe arrestimi i dytë i Bidajetit, për të cilin përsëri kishte pasur presione nga të lartëpërmendurit.
Sinani konsideron se në këtë rast është keqpërdorur nga të dy palët. “Unë jam keqpërdor nga Besim Shabani, por njëkohësisht edhe nga familja e Bidajetit”, përfundon deklaratën e tij.
Gjatë kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, Piotr Bojarchuk prezantoi edhe kërkesën e palës së dëmtuar për kompenzimin e dëmeve materiale dhe jo materiale, me titull “Propozim për realizimin e padisë për kompenzim material dhe jo material”. Në këtë kërkesë thuhet se nga kjo palë dëmi është vlerësuar në shumën prej 800,223 euro e 25 cent. Lidhur me këtë prokurori i çështjes, Drew Engel propozon që si dëshmitar të ftohet një ekspert financiar dhe një psikolog, të cilët do të bënin vlerësimin e dëmeve materiale dhe jo materiale, i cili propozim u refuzua nga trupi gjykues. Ndërkaq sa i përket kërkesës, e cila u kundërshtua edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Menderes Sinani, avokati Aziz Rexha, trupi gjykues njoftoi se vendimi për këtë do të merret me aktgjykim, ku do të jipen edhe të gjitha arsyet e nevojshme.
Në fund të seancës, u kërkua nga i akuzuari që t’i hiqet masa e arresit shtëpiak, pasi nuk është e nevojshme t’i vazhdohet edhe më tutje, por një gjë e tillë u refuzua nga ana e trupit gjykues.
Marrja në pyetje e të akuzuarit Menderes Sinani do të vazhdojë të hënën më 21 mars.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Menderes Sinani për veprat penale penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, ”moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Në këtë proces gjyqësor, të akuzuar janë edhe 6 persona tjerë: Besim Shabani, Burim Veseli, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Vahid Tahiri.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë