Deklarohet i pafajshme i akuzuari për se iu shmang detyrimeve tatimore mbi 130 mijë euro

Raporton: Avni Berisha

Rahovec – I akuzuari për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, Muhamet Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sadri Alija, i akuzuari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shtuar se ai nuk e ka kryer këtë vepër penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit avokati Rasim Hoti ka kundërshtuar në tërësi aktakuzën e prokurorisë.

“I mbrojturi im, ka zhvilluar procedurë në Departamentin për Çështje Administrative-Divizioni Fiskal, ku në atë lëndë është vërtetuar se i njëjti ka vepruar në harmoni me udhëzimet që i janë dhënë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor” tha Hoti

Sipas tij, të gjitha këto do të vërtetohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku mbrojtja do të kërkoj edhe një ekspertizë nga lëmia e financave.

Ndërsa prokurori Alija, ka qëndruar pranë aktakuzës duke thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet gjandja faktike si në dispozitiv të aktakuzës.

Përfaqësuesi i Administrata Tatimore të Kosovës (ATK), Agron Ndrecaj, ka mbështetur deklarimin e prokurorit Alija.

Pasi që i akuzuarit e ka mohuar fajësinë, gjykatësi Ilir Rashkaj e ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, mirëpo të njëjtit kanë hequr dorë nga shqyrtimi i dytë, duke kërkuar që të shkohet në shqyrtimin kryesor ku do të administrohen provat.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar 28 dhjetor 2021 me fillim në ora 10:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 26 gusht 2018, Muhamed Krasniqi akuzohet se në vazhdimësi në periudhën kohore deklaruese 2009-2014 në fshatin Dobidol të Rahovecit me qëllim përfitimi të kundërligjshëm për vete apo për tjetrin duke ushtruar veprimtari ekonomike si pronar e person përgjegjës i subjektit afarist “Liridoni” sh.p.k e me qëllim shmangie nga pagesat e detyrimeve tatimore reale, përpilon e paraqet shpenzime të derivateve të naftës me përmbajtje të rreme më të larta se të hyra.

Sipas aktakuzës, kjo është vërtetuar përmes metodës indirekte të vlerësimit të shpenzimeve, sipas raportit të kontrollit me numër dosje 12017 të datës 23 qershor 2015, ndërsa të dëmtuarës ATK-së, buxhetit të Republikës së Kosovës, i ka shkaktuar dëm të përgjithshëm në shumën prej 89.758,15 euro, ku në këtë shumë është llogaritur tatimi në vlerën e shtuar në shumën prej 25.809,13 dhe tatimi në të ardhura të korporatave në shumën prej 14.965,19 si dhe nënshkrime dhe interesi.

Me këtë sipas prokurorisë i akuzuari ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 290 par.1 nën par.2 të KPK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë