Deklarohet i pafajshëm se sulmoi të dëmtuarën duke e tërhequr me forcë për krahu

Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Shtator 14, 2021

Viti – I akuzuari SH.A, nuk e ka pranuar fajësinë për akuzën se në dhjetor të 2019-ës e kishte sulmuar të dëmtuarën duke e tërhequr me forcë për krahu.

Në seancën e cila u mbajt të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shefik Memeti, i akuzuari i SH.A, u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e pranoj fajësinë, kam dashtë me bisedu me të, jo me lëndu”, deklaroi i akuzuari.

Deklaratën e tij e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij, avokati Irfan Thaqi.

Pas deklarimit të bërë nga i akuzuari, gjykatësja Blerina Jakupi-Ramadani e njoftoi atë me të drejtën e tij për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 janar 2020, SH.A. po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan se më 29 dhjetor 2019 e ka sulmuar të dëmtuarën NN, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë së bashku me djalin e axhës duke hyrë në restorantin “Lind i Ri”, i pandehuri ju del para për të biseduar lidhur me mosmarrëveshjet e më hershme të cilat i kanë pasur mes veti.

Në aktakuzë thuhet se në momentin që refuzon e dëmtuara të bisedojë me të, i pandehuri me dashje e përdor forcën dhe e kap për krahu të dëmtuarën, me ç’rast e njëjta reziston, më pas ndërhynë L.U., e tërheq të dëmtuarën dhe disi arrijnë të hyjnë të restorant, ndërsa i pandehuri largohet nga vend i ngjarjes.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi” nga neni 184, paragrafi 1 të KPRK-së. BetimipërDrejtësi