Deklarohet i pafajshëm se nuk ia siguroi pajisjet mbrojtëse punëtorit qe ra nga kulmi i stallës

Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Shtator 14, 2021

VitiI akuzuari Ismajl Zymeri është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të marten në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

Në këtë rast, i akuzuari Zymeri ngarkohet se nuk instaloi pajisje mbrojtëse në vendin e punës, andaj i dëmtuari, Zijadin Beqiri ra nga kulmi i stallës në dysheme.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shefik Memeti, i akuzuari Zymeri nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e ndjej veten fajtor”, është shprehur i akuzuari.

Në këto rrethana, gjykatësi Nexhat Aliu e ka njoftuar atë më të drejtën e tij për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Sipas prokurorisë, në korrik të vitit 2019, në fshatin Buzovik në Viti, i pandehuri Ismajl Zymeri, nga pakujdesia, nuk i ka instaluar pajsjet mbrojtëse në vendin e punës, në atë mënyrë që i pandehuri kishte filluar të ndërtojë një stallë-pleme për bagëti.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari, Zijadin Beqiri ishte duke punuar në stallë, i cili po i rendiste tjegullat e kulmit, përnjëherë shembet kulmi i stallës dhe disa mure të stallës, ku i dëmtuari rrëzohet nga kulmi dhe bie në dysheme. Me këtë rast, pëson lëndime të rënda trupore dhe për shkak të lëndimit kërkon ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë.

Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 5 dhe 3 të Kodit Penal, e cila është e dënueshme deri në tre vjet burg. /BetimipërDrejësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.