Deklarohet i pafajshëm se lëndoi një person në aksident, fajin e lë te rruga e pa pastruar

Author

Raporton: Krenare Zariqi

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Bajram Bunjaku është deklaruar i pafajshëm nga akuza se në dhjetor të 2018-ës kishte shkaktuar aksident trafiku nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë duke e lënduar Remzi Bunjakun. Ka thënë se faji pse kishte ndodhur aksidenti është te rruga që nuk ishte e pastruar.

Deklarimi i të akuzuarit ka ndodhur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë nuk e ni veten fajtor. Rruga ka qene e keqe e pa pastruar”, deklaroi Bunjaku.

Pas deklarimit të bërë nga i akuzuari, gjykatësi Gent Beka  e njoftoi atë se brenda 15 ditësh, i njëjti mund të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës, Bajram Bunjaku po akuzohet se nga pakujdesija dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës kishte shkaktuar aksident duke dalur jashtë rrugës me automjetin e tij e me ç’rast pasagjeri tani i dëmtuari Remzi Bunjaku kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto, Bunjaku po akuzohet se ka kryer veprën penale “ Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par.8 lidhur me par.6 të KPRK, ku dënimi parashihet prej 6 muaj deri në 5 vite burgim./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.