Deklarohet i pafajshëm polici i akuzuar për vrasjen e shoferit të një kamioni në Gjilan, pranon fajësinë për dy veprat tjera penale që lidhen me armë

gjilan 2
Author

Raporton: Teuta GASHI

Qershor 24, 2020

Gjilan – Zyrtari policor i akuzuar për tre vepra penale, Vllaznim Hamdija, në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, është deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë, përderisa e ka pranuar fajësinë për posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorim të armës.

Hamdija akuzohet se me 29 dhjetor 2019, në rrugën qarkore “NATO 99” në Gjilan, pas një aksidenti të trafikut që ka shkaktuar derisa ishte në gjendje të dehur, ka privuar nga jeta shoferin e kamionit, tani të ndjerin Lulzim Spahiu.

Ai akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të disa armëve dhe fishekëve, si dhe përdorim të armës në një restorant në Malishevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, i pandehuri Hamdija është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e shoferit të kamionit, përderisa deklaroi se e pranon fajësinë për veprat me të cilat ngarkohet në dispozitivin e dyte dhe të tretë të aktakuzës.

Pranimi i fajësisë për dy veprat në fjalë nuk u kundërshtua nga prokurori Isufi dhe mbrojtësja e palës së dëmtuar, avokatja Vlora Kadriu, dhe si të tillë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij, avokati Ymer Huruglica, kërkuan të aprovohet nga gjykatësi Islam Thaçi.

Avokati Huruglica deklaroi se gjykata duhet ta aprovojë pranimin e fajësisë lidhur me dispozitivin II dhe III të aktakuzës, sepse sipas tij provat dhe faktet në të cilat mbështetet aktakuza e vërtetojnë një gjë të tillë, ani pse është përdorur një armë me gaz e cila nuk shkakton rrezik.

Mirëpo, sipas tij përdorimi i armës është vepër penale, duke shtuar se sa i përket veprës penale vrasje e rëndë, cilësimi juridik dhe veprimet inkriminuese nuk përputhen me njëra tjetrën.

Meqenëse i akuzuari Hamdija nuk e pranoi fajësinë për veprën penale “vrasje e rëndë”, gjykatësi Thaçi e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij lidhur me të drejtën për paraqitjen e kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjykatësi Thaçi nuk caktoi datë për seancën e shqyrtimit dytësor, duke deklaruar se e njëjta do të mbahet sipas nevojës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 5 mars 2020, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Vllaznim Hamdija, me arsyetimin se i njëjti, me 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën qarkore “NATO 99” në Gjilan, ka privuar nga jeta tani të ndjerin, viktimën Lulzim Spahiu dhe ka rrezikuar të tjerë.

Sipas aktakuzës, këtë i pandehuri e ka bërë në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar veturën e llojit “Craysler Sebrig” (e padoganuar, siguruar dhe regjistruar), në shoqëri të personave Miradije Halili dhe Besnik Linomi, pasi kishin konsumuar pijë alkoolike, pasi arrin tek udhëkryqi që të dërgon në lagjen “Gavran”, përkatësisht tek furra e bukës “Shqiponja”, shkakton aksident trafiku me kamionin e llojit “Mercedes”, të cilin ishte duke e drejtuar tanimë i ndjeri Lulzim Spahiu.

Në aktin akuzues thuhet se pas aksidentit, i pandehuri del nga vetura dhe pas një mosmarrëveshje përkitazi me aksidentin e komunikacionit në mes tij dhe viktimës, si dhe djalit të viktimës, Blend Spahiu, i njëjti nxjerr armën zyrtare nga brezi dhe pas disa shtyrjeve dhe përpjekjeve nga dëshmitarja Mriadije Halili dhe Besnik Limoni që ta ndalojnë të pandehurin që të gjuaj me armë, pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i pandehuri afrohet tek dera e kamionit ku dritarja ishte e hapur dhe shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e godet atë një herë në pjesën nën vetullën e syrit të djathtë, ku viktima vdes në vendin e ngjarjes.

Për këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i pandehuri në kundërshtim me Ligjin për armët, ka mbajtur armë në pronësi, kontroll ose posedim dhe atë dy pistoleta të llojit “Bereta”, ku njëra është gjetur në dollapin u ulëses së parë të pasagjerit në veturën e tij, bashke me mbi 50 fishekë, kurse gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, janë gjetur edhe 7 karikatorë të armës zyrtare dhe 76 fishekë, të cilat armë dhe municion janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse në dispizitivin e tretë të aktakuzës, Hamdija akuzohet se me 29 dhjetor 2019, pas mesnate, në restorantin “ELMA” në fshatin Malishevë, ka përdorë armën, në atë mënyrë që derisa ishte duke dëgjuar muzikë folklorike dhe duke pirë pije alkoolike, nxjerrë pistoletën e llojit “Bereta”, e cila është me gaz, dhe me të njëjtën shkrep disa herë në brendësi të restaurantit, në drejtim të tokës.

Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 e 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi