Deklarohet i pafajshëm për vjedhjen e çantës ku ishte një telefon dhe 500 lekë

Author

Raporton: Blinerë BEKA

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Shqiprim Deda është deklaruar i pafajshëm për akuzën se kishte vjedhur një çantë të dorës ku ishin një telefon dhe 500 lekë. Ngjarja kishte ndodhur në Prishtinë në tetorin 2012-ës derisa aktakuza është ngritur në gusht të 2014-ës.

Deklarimi i Dedës është bërë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Ferdane Sylejmani

“S’e ndjej veten fajtor”, ka thënë Deda.

Sa i përket këtij deklarimi, avokatja e të akuzuarit Deda, Zahide Gjonaj e ka mbështetur të mbrojturin e saj lidhur me mospranimin e fajësisë.

Ndërkaq, gjatë kësaj seance avokatja Gjonaj ka njoftuar gjykatën se nuk është e pajisur me shkresat e lëndës, përveç aktakuzës që e ka marrë nga ana e gjykatësit Eroll Gushi në këtë seancë.

Për këtë, prokurorja Sylejmani ka thënë se shkresat mund t’i marrë kurdo pas parashtrimit të kërkesës për pajisje me shkresa të lëndës.

Duke marrë parasysh rrethanat, gjykatësi Gashi ka njoftuar të akuzuarin Deda dhe avokaten Gjonaj, që brenda afatit ligjor mund të ushtrojnë kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës së ngritur me datë 26 gusht 2014, Shqiprim Deda po akuzohet se me datë 11 tetor 2012, rreth orës 12:00 – 13:15, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, i akuzuari me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, vetes ti sjellë përfitim pasurorë të paligjshëm, ka vjedhur një çantë të dorës.

Më tutje, sipas aktakuzës, një veprim të tillë e ka bërë duke hapë derën e parë nga ana e majt të veturës, është futur brenda në veturë dhe ka vjedhur një çantë të dorës në të cilën kishte dokumente personale, një telefon dhe 500 lekë.

Për këtë, Shqiprim Deda po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 253 par.1 e cila parasheh dënimin me gjobë ose me burgim deri në tri vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.