Deklarohet i pafajshëm për marrje ryshfeti zyrtari i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjilan

gjilan 2
Author

Raporton: Lirie ALIU

Tetor 9, 2018

Gjilan – Zyrtari për tatimin në pronë në kuadër të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Bashkim Bunjaku, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të marrjes së ryshfetit, në seancën fillestare të së martës në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Gjykatësi i çështjes, Agim Ademi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se në seancën fillestare, i akuzuari ka mohuar fajëisinë, andaj sipas tij, palëve u ishte dhënë afati prej 15 ditësh për kundërshtimin e aktakuzës.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 22 korrik 2018, tashmë i akuzuari, Bashkim Bunjaku, në cilësinë e personit zyrtar për tatim në pronë në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet në shumë prej dy mijë eurosh nga Arbër Emini.

Ai akuzohej se në mënyre të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në shumë prej dy mijë eurosh  nga Arbër Emini, që në cilësinë e personit zyrtar në kuadër të autoriteteve të tij të veprojë në pajtim me detyrën ë tij zyrtare, ashtu që ta bëjë pagesën nga llogaria e komunës për kompensim për shpronësimin e tokës së Ragip Rashitit në vlerë prej 65,072,00 euro.

Në aktakuza thuhet se pasi që Ragip Rashitit i është bërë më shumë se gjysma e pagesës së kompensimit, më 22 qershor 2018, në ora 11:45, në Gjilan, në parkingun e “Hib Petrol”, pas marrëveshjes paraprake janë takuar i pandehuri Bashkim Bunjaku dhe i dëmtuari Arbër Emini, ku i pandehuri i merr të hollat nga Arber Emini në shumë prej 2,000 euro, intervenon Policia e Kosovës dhe i njëjti është arrestuar dhe të hollat i janë sekuestruar.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 428 paragrafi 1  të Kodit Penal të Kosovës.