Deklarohet i pafajshëm njëri i akuzuar për vjedhje, për tjetrin veçohet procedura

fv2
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Nëntor 19, 2019

 


Viti – I akuzuari Egzon Vranovci, në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka mohuar fajësinë se ka kryer veprën penale të vjedhjes.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit të dytë për këtë vepër penale, Faton Lipovica, gjykatësi Nexhat Aliu ka bërë veçimin e procedurës penale, me arsyetimin se është i paarritshëm për gjykatën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ukshini, i akuzuari Vranovci deklaroi se ndihet plotësisht i pafajshëm për këtë vepër penale, duke shtuar se nuk e din se ku ndodhet vendi, në të cilin thuhet së është kryer kjo vjedhje.

Pasi që i akuzuari e ka mohuar fajësinë, gjykatësi Aliu e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor mund të paraqes kundërshtime lidhur me provat e përfshira në aktakuzë si dhe të paraqesë kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 dhjetor 2014, Egzon Vranovci dhe Faton Lipovica, akuzohen se më 14 janar 2014, në Kllokot, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë, për vete apo për personin tjetër, kanë kryer vjedhje, në atë mënyrë që së bashku kishin hyrë në depo e të dëmtuarit Faton Zeqiri, dhe nga aty kishin marrë dy bateri të kamionit “MAN”, në vlerë prej 360 euro, dhe rreth 150 litra naftë, në vlerë prej 360 euro, dhe rreth 150 litra naftë.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Egzon Vranovci dhe Faton Lipovica se në  bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Vjedhja” nga neni 325, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi