Deklarohet i pafajshëm ish-oficeri korrektues i akuzuar për marrje ryshfeti në vlerë 50 euro

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, është deklaruar i pafajshëm i akuzuari, Bajram Rexhaj i cili po akuzohet për marrje të ryshfetit.

Këtë deklarim, i akuzuari Rexhaj e ka bërë gjatë shqyrtimit fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, raporton Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësja e të akuzuarit Rexhaj, avokate Dafina Osmani ka deklaruar se e mbështet deklarimin e të mbrojturit të saj dhe se do të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjithashtu, avokatja Osmani ka thënë se i mbrojturi i saj ka qëndruar rreth katër muaj në paraburgim, e për këtë ka kërkuar nga gjykata që masën e paraburgimit ta zëvendësoj me masën e arrestit shtëpiak.

“I mbrojturi im tashmë është i suspenduar dhe gjasat janë reale që ai më nuk do të mbaj post publik, andaj për arsye humanitare dhe shëndetësore më e rëndësishmja, propozoj t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me një masë alternative”, tha avokatja Osmani.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes, prokurorja Gashi tha se këtë ia lë në vlerësim gjykatës.

Tutje, kryetari i trupit gjykues, gjykatës Artan Sejrani ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, me ç’rast masën e paraburgimit e ka zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor të akuzuarit Rexhaj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 18 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 27 maj 2022, i pandehuri Bajram Rexhaj, akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personi zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ditën kritike në pompën e derivateve “Shell” në hyrjen e parë të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro, me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni të “Ipkos”, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë i pandehuri Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragraf 2 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë