Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje

Raporton: Teuta GASHI

Gjilan –  Të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në të cilin Bojan Moskiq akuzohet për veprat penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi kërkoi nga pokurori i shtetit Arben Kadriu që i njëjti të lexonte aktin akuzues si dhe kërkoi nga i pandehuri Bojan që të deklarohej lidhur me fajësinë për veprat penale të cilat i ngarkoheshin në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që prokurori lexoi aktakuzën, i pandehuri Bojan Moskiq u deklarua i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, pasi siç tha ai, veprën në fjalë e ka kryer në mbrojtje të nevojshme, kurse i njëjti u deklaruar fajtor për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Gjykatësi Agim Ademi refuzoi pranimin e fajësisë së të pandehurit Bojan Moskiq sepse pranimi i fajësisë nuk është i plotë dhe i njëjti nuk përputhet me dispozitivin e aktakuzës.

Në fjalën hyrëse të tij, prokurori i shtetit Arben Kadriu ka deklaruar se Prokuroria Themelore në Gjilan ka zhvilluar hetimet dhe si rezultat i hetimeve të zhvilluara ka ardhur në përfundim se Bojan Moskiq ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë. Viktimë e kësaj vepre penale ishte një zyrtar policor i cili kishte kryer bastisje nga shtëpia e të akuzuarit dhe nga aty kishte sekuestruar armë me çka i njëjti kishte mbetur në karrocë dhe i palëvizshëm nga veprimet e të akuzuarit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Moskiq, avokati Skender Shefkiu tha se gjatë ekspertizës mjeko ligjore do të vërtetohet se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën në mbrojtje të nevojshme.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Nenad Mitroviq i cili deklaroi se ka njohuri për bastisjen që është bërë në shtëpinë e të akuzuarit Bojan, në të cilën bastisje nga shtëpia e tij janë gjetur një revole dhe një pushkë gjuetie.

Ngjarja ka nisur në një kafiteri thotë dëshmitari, në të cilën pronari i lokalit ka thirrur policinë sepse ka pasur mosmarrëveshje mes disa personave. Me të ardhur policia, të njëjtit kanë dhënë urdhër të ndalet muzika që është lëshuar brenda lokalit dhe të gjithë personat e pranishëm të dalin jashtë.

Që aty pastaj, gjatë daljes jashtë, ka lindur një mosmarrëveshje me ç’rast i akuzuari Bojan është vërsulur në drejtim të të dëmtuarit Zoran Jeremiq, njëherit zyrtar policor, e më pas ka ardhur deri tek rrahja e tyre, ka shtuar dëshmitari.

Ai më tutje tha se ka qenë sipër një ballkoni duke qëndruar dhe nga aty ka parë që i akuzuari Bojan po zihej me Zoranin.

“Jam ndjerë i shqetësuar kur kam parë që Bojan ka qenë i pajisur me revole më çka unë kam bërtitur ‘hudhe revolen’, e me atë rast Bojan Moskiq ka shtënë edhe një herë në drejtim të Zoran Jeremiq, tha dëshmitari.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Moskiq, avokati Skender Sherifi se cili është motivi i këtyre të shtënave, dëshmitari Nenad deklaroi se zyrtari policor Zoran Jeremiq kishte bastisur dy herë shtëpinë e të akuzuarit dhe mendonte se ky është motivi krucial pse ky i fundit ka shtënë në drejtim të tij.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 29 maj 2020 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Bojan Moskiq sepse i njejti më 28 mars 2020, rreth orës 13:00 minuta, në fshatin Vërboc, Komuna e Kllokotit, para marketit “Millosh”, pas mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me detyrën zyrtare të të dëmtuarit oficer policor në Stacionin Policor në Kllokot- tani të dëmtuarin Zoran Jeremiq, në atë mënyrë që, me armë zjarri “Zastava”, kalibër 6.35mm, ka shtënë dy herë në drejtim të të dëmtuarit, duke e qëlluar dy herë në pjesë vitale të trupit, me ç’rast të njëjtit i shkakton lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 28 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i pandehuri Bojan Moskiq, pa autorizim dhe pa leje valie, e në kundërshtim të Ligjit të zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim armën e zjarrtë të llojit “Zastava”, kalibër 6.35mm, e cila i është sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Në këtë drejtim ai ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë