Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vjedhje të rrymës

Bajram Kryeziu
Author

Raporton: Avni BERISHA

Prill 15, 2019

Rahovec – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunale, Bajram Kryeziu, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dëshire Jusaj, i akuzuari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se heq dorë nga shqyrtimi i dytë dhe se në seancën e shqyrtimit gjyqësor, ka propozuar që të ballafaqohet me zyrtarë të KEDS-it dhe provat e ofruara nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Në këtë seancë, prokurorja Dëshire Jusaj ka bërë rikualifikimin e aktakuzës sa i përket veprës penale me të cilën ngarkohej i akuzuari Kryeziu.

Prokurorja ka thënë se në vend të veprës penale “shfrytëzim i paautorizuar i energjisë elektrike”, nga neni 61 paragraf 1 nenparagraf 1.2 të Ligjit për Energjinë Elektrike, duhet të jetë vepra penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës, sipas saj, mbetet e pandryshuar.

Gjykatësi Mizahir Shabani, ka thënë se seanca e radhës do të caktohet në muajt në vijim, dhe se sipas tij, palët do të ftohen  me ftesa të rregullta.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 15 janar 2018, ndaj Bajram Kryeziut, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 07 tetor 2017, në shtëpinë e tij në fshatin Xërxe të Rahovecit, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se për t’i sjell vetit përfitime pasurore të kundërligjshme, i njëjti përmes kabllos jashtë njehsorit elektrik është furnizuar me energji elektrike, gjendje kjo e konstatuar nga personat e autorizuat të KEDS-sit, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, ku me këtë rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlere prej 203.86 euro. /BetimipërDrejtësi