Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vjedhje të rëndë

Klina
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Tetor 9, 2019

Klinë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, i akuzuari Hasim Gashi, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Para fillimit të seancës, gjykatësja e rastit Sabrije Rraci, ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast, nga shqyrtimi i fundit gjyqësor, kanë kaluar më shumë se tre muaj, andaj e njëjta ka marrë aktvendim, që tani ky rast do të procedohet nga seanca e shqyrtimit fillestar.

Ndërsa, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes Muharrem Bajraktari, i akuzuari Gashi, ka mohuar të ketë kryer veprën penale për cilën akuzohet.

“Nuk është e vërtetë që unë e kam kryer këtë vepër”, ka thënë i akuzuari.

Pas njoftimit nga ana e gjykatëses së rastit, Sabrije Rraci, që i akuzuari në afatin prej 30 ditësh, ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, i akuzuari ka deklaruar se heqë dorë nga shqyrtimi i dytë, duke kërkuar që të kalohet në shqyrtim gjyqësor.

Gjykatësja Rraci, me aktvendim e ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit, që të kalohet në shqyrtim gjyqësor, në të cilin do të ftohet dëshmitari, Sulltan Gashi, pasi që në seancën e së mërkurës, përmes ftesës së rregullt, ai ka qenë i ftuar, mirëpo sipas gjykatëses, nga fletëkthesa është konstatuar se ai gjendet jashtë vendit.

Duke u bazuar në këtë, gjykatësja Rraci, ka marrë aktvendim që seanca e shqyrtimit gjyqësor të shtyhet për në kohë të pacaktuar, derisa të krijohen kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 dhjetor 2011, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hasim Gashi, akuzohet për shkak se më 14 gusht 2011, rreth orës 18:00, në fshatin Dollovë, të Komunës së Klinës, ka marrë pasurinë e luajtshme me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri me përdorim të forcës i ka këputë shtyllat elektrike të drurit, duke ia marrë më pas telin, ku pas kësaj është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë ai, akuzohet se ka kryer vepër penale “Vjedhje e rëndë”, nga neni 258, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi