Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vjedhje rryme

Foto 25.06.2020
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Qershor 25, 2020

Malishevë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Esat Kastrati është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Zenelaj, i akuzuari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kastrati deklaroi se është hera e dytë që ai po akuzohet pa të drejtë, pasi që sipas tij nuk është e mundur që rryma të vjedhjet nga ora digjitale.

Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi njoftoi të akuzuarin se në afat prej 30 ditësh ka të drejtë të bëjë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 28 korrik 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 28 maj 2019, Esat  Kastrati akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 15 dhjetor 2018, në shtëpinë e tij në rrugën “Gjergj Kastrioti” në Malishevë, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike, në kundërshtim me nenin 61 të Ligjit për energji elektrike të Kosovës, është lidhur direkt në rrjetin elektrik përmes kabllos, dhe me këto veprime e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 733.54 euro. /BetimipërDrejtësi