Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për uzurpim të pronës së paluajtshme në Rugovë

Foto Gjykata (6)
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shkurt 23, 2021

Pejë-I pafajshëm është deklaruar i akuzuari Naser Husaj për akuzat e Prokurorisë së Pejës për uzurpimin e pronës  të dëmtuarit Blerim Husaj në Rugovë të Pejës.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Dorian Juniku, i pandehuri  Naser u deklarua i pafajshëm, duke i cilësuar të pavërtetuar pretendimet akuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se kjo çështje penale ishte e gjykuar dhe se i dëmtuari kishte bërë lajmërim të rremë për rastin e tij.

Pasi i njëjti nuk e pranoi fajësinë, gjykatësi i çështjes Musë Povataj, e njoftoi të pandehurin se brenda afatit prej 30 ditësh ka të drejtën e kundërshtimit të akuzës dhe provave të saj.

Ndryshe, në këtë seancë ishte edhe i dëmtuari Blerim Husaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 27 nëntor 2018, Prokuroria e Pejës e akuzon të pandehurin Husaj se në kohë të panjohur e gjerë me 15 tetor 2018, pikërisht në fshatin Shkrellë, Rugovë të Komunës së Pejës, në mënyrë të kundërligjshme, uzurpon pronën e paluajtshme të personit tjetër.

Sipas akuzës i pandehuri uzurpon pronën  e të dëmtuarit Blerim Husaj, në atë mënyrë që i pandehuri edhe pse ishte në dijeni se prona me sipërfaqe prej 4746, në vendin e quajtur Gramade, ishte pronë e të dëmtuarit, i njëjti kishte uzurpuar të njëjtën dhe kishte vendosur një shtyllë beton në një pjesë të sipërfaqes së pronës së lartëcekur.

Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme “, nga neni 332 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi