Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për uzurpim prone në Brezovicë

67726507_660043677846776_4169739110644187136_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Gusht 9, 2019

Shtërpcë – I akuzuari për uzurpim prone, Alban Quka, është deklaruar i pafajshëm, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dega Shtërpcë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Albert Zejnullahu, i akuzuari Quka  nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja e rastit Mirlinda Bytyqi-Rexhepi e ka njoftuar atë se në afat prej 30 ditësh ka të drejtë të paraqes kundërshtimet për provat e paraqitura në aktakuzë si dhe kërkesën për hedhjen e së njëjtës.

Ndryshe, e pranishme  në këtë seancë ishte edhe e dëmtuara Xhylizare Selimi-Dushi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, e ngritur më 31 korrik 2018, Alban Quka akuzohet se që nga viti 2014, ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme disa parcela, të cilat gjenden në zonën kadastrale në Shtërpcë, përkatësisht në Brezovicë, pronë e të dëmtuarës Xhylizare Selimi-Dushi.

Sipas aktakuzës, në këto parcela, i akuzuari Quka  ka rrënuar objektin e vjetër duke ndërtuar objektin e ri, dhe duke ua shitur me pas personave të tretë, me ç’rast i pamundëson të dëmtuarës të Selimi-Dushi të shfrytëzojë pronën e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi