Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për tentim vrasjen e policit, Avni Berisha

Rasti i Arsim Elshani 11.06.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Arsim Elshani, i akuzuar se dy herë kishte tentuar ta privonte nga jeta policin Avni Berisha, është deklaruar i pafajshëm të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që Elshani nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja Suzana Çerkini, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, se kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur aktakuzën dhe provat që gjenden në të.

Ndryshe, seanca e paraparë për 3 qershor të këtij viti, i akuzuari Arsim Elshani, kishte deklaruar se nuk kishte pasur qëllim apo paramendim vrasjen e policit Berisha, po që më pas ajo seancë ishte shtyrë, pasi që avokati i të akuzuarit, Arbër Shala, kishte kërkuar që t’i siguroheshin shkresat e prokurorisë, pasi që të njëjtat nuk i kishte marrë.

Prokurorja Besa Limani, kishte deklaruar se shkresat e lëndës janë të gatshme në prokurori, mirëpo që sipas saj, nuk e ka ditur se kush është i angazhuar si mbrojtës, duke thënë se pas seancës mund të pajisen me to.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 maj 2019, Arsim Elshani akuzohet se më 24 tetor 2018, rreth orës 01:39, në rrugën “Bashkim Fehmiu”, objekti “Arbëria.com” në Prishtinë, derisa i pandehuri ishte duke i dëmtuar kamerat e sigurisë që gjendeshin në garazhin e këtij objekti, i dëmtuari Avni Berisha, me të vërejtur këtë, i ishte prezantuar atij si zyrtar policor dhe njëkohësisht e kishte urdhëruar që të ndalet.

Mirëpo, sipas aktit akuzues, i pandehuri me dashje që ta privojë nga jeta, nga distanca 7-8 metra, me revolen e tij, të cilën e ka mbajtur pa leje, ka shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit, ndërsa, siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari në vetëmbrojtje ka shtënë tri herë me armën e tij zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë shkëmbimit të zjarrit janë dëmtuar dy vetura.

Në aktakuzë thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja që i përkasin armës zyrtare të të dëmtuarit Berisha dhe dy gëzhoja që i përkasin armës së të pandehurit.

Më këtë veprim, prokuroria pretendon se i akuzuari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Ndërkaq, në aktakuzë thuhet se me 2 nëntor 2018, rreth orës 20:00, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë, posa i dëmtuari Avni Berisha kishte dal nga banesa e tij, e ka vërejtur dhe identifikuar të pandehurin, i cili ecte në trotuar si kryes të veprës penale si në dispozitivin e parë të aktakuzës.

I njëjti thuhet se si zyrtar policor e ka urdhëruar që të ndalet, mirëpo i pandehuri nuk është ndalur, por me dashje që ta privojë nga jeta, sipas aktakuzës, nga distanca 7-8 metra ka shtënë me revolen e njëjtë në drejtim të zyrtarit policor, e pastaj në ikje e sipër ka shtënë edhe njëherë në drejtim të tij nga distanca prej 20 metrash duke rrezikuar edhe persona të tjerë të pranishëm në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë.

Në aktakuzë thuhet se nga ky veprim është dëmtuar pjesa e epërme e shtyllës mbrojtëse të trotuarit, e shkaktuar nga goditja e predhës së fishekut, ndërsa në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja fisheku me mbishkrim në bazë 7.76 Br.S&B 13, si dhe një predhë fisheku të dëmtuar. Ai akuzohet se me këtë veprim ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”. /Betimipërdrejtësi