Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për tentim vrasje ndaj fqinjëve për shkak të kontestit pronësor

Rasti Avni Zullufi - 05.07.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Korrik 5, 2019

 

Prishtinë – Avni Zullufi, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, është deklaruar i pafajshëm, të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm për dy veprat penale që i vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që Zullufi nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Naser Foniqi, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin sipas detyrës zyrtare, Bekim Ahmeti, se kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur aktakuzën dhe provat që gjenden në të.

Prezent në seancë ishte edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Muhamet Shala.

Ndryshe, në këtë çështje penale i akuzuar ka qenë edhe Rasim Zullufi, për të cilin gjykatësi Foniqi njoftoi se më 4 shkurt të këtij viti ishte hedhur aktakuza, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 19 gusht 2019, duke filluar nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 mars 2014, Avni Zullufit akuzohet se më 22 nëntor 2013 në rrugën “27  Nëntori”, në Prishtinë,  me dashje kishte tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin Muhamet Rusinovci dhe Besim Rusinovci, për shkak të një kontesti pronësor që kishin mes veti, në atë mënyrë që deri sa të dëmtuarit Rusinovci kishin dal në rrugë posa kishin dëgjuar një krismë në murin e shtëpisë së tyre, kishin vërejtur murin e lokalit të cilin e kishte shpuar i akuzuari Rasim Zullufi.

Në aktakuzë thuhet se, në ato momente, i dëmtuari Muhamet  dhe i akuzuari Avni, djali i të akuzuarit Rasim, kanë filluar të fjalosen në mes veti , ku i dëmtuari Muhamet i është drejtuar të akuzuarit me fjalët “ a po e shef çka është duke bërë babai yt”, ndërsa i akuzuari Avni i është përgjigjur “mirë po ju banë”, dhe në fjalosje e sipër i akuzuari me një thikë e godet të dëmtuarin Besim në regjionin  e anës  së majtë të stomakut, duke i shkaktuar plagë shpuese me dëmtime të rënda trupore, me pasoja të përkohshme të shëndetit, me ç’rast i është nënshtruar shërimit intensiv spitalor në QKUK.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Avni, nga prapa e godet me thikë edhe të dëmtuarin Muhamet, në këmbën e djathtë mbi gju, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin, i cili në ato momente ishte afruar për ta tërhequr axhën e tij Besimin.

Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Zullufi për një moment hyn në shtëpi, e merr një armë, me një shpejtësi kthehet dhe me armë shtinë dy herë në ajër dhe një herë në drejtim të dëmtuarit Muhamet Rusinovci me dashje për ta privua nga jeta, duke shkaktuar rrezik edhe për personat që ishin përreth, mirëpo nuk arrin ta qëlloj, pasi që i dëmtuari ishte shtrirë për tokë për ti shpëtuar goditjes.

Me këto veprime Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Avni Zullufi me veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë”, nga neni 179 par.1 nën par. 1.5 lidhur me nenin 28 të ish-KPK-së.

Gjithashtu, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin edhe me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 të ish-KPK-së, pasi që sipas saj, i akuzuari prej periudhës së  pavërtetuar e deri më 22 nëntor 2013, në shtëpinë e tij në Prishtinë, ka mbajt në pronësi dhe kontroll, pa leje valide armën e tipit “Ekol Special”, të cilën revole e ka përdorur si mjet për kryerjen e veprës së parë të kësaj aktakuzë, e cila revole i është gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.

Aktakuza e ngarkon edhe Rasim Zullufin, me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 par.1 të KPK-së

Kjo sepse, sipas aktakuzës, më 22 nëntor 2013, në rrugën “27 Nëntori”, në Prishtinë, për shkak të një kontesti pronësor që kishte me fqinjët e tij, të dëmtuarin Muhamet Rusinovci, ka dëmtuar pasurinë, ne atë mënyrë që me kazme e ka shpuar dhe rrënuar një pjesë të murit të lokalit të dëmtuarit, duke i shkaktuar dëm material.