Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për tentim vrasje, dy të tjerët mohojnë fajësinë për pjesëmarrje në rrahje

11 shtator foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shtator 11, 2019

Pejë – I akuzuari për tentim vrasje, Vernor Gjurkaj është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe dy të akuzuarit për pjesëmarrje në rrahjë, Eldrin Margataj dhe Ilirian Margataj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi me pëlqimin e palëve në procedurë aktakuza është konsideruar e lexuar, i akuzuari Gjurkaj, e ka mohuar fajësinë për rastin që kishte ndodhur në qershor të këtij viti në Pejë, e ku akuzohet se me anë të goditjes me një brisk, i kishte shkaktar lëndime të rënda trupore, tani të dëmtuarit Ardit Baloku.

I akuzuari Gjurkaj ka thënë se ndien veten fajtor për lëndimet që i kishte shkaktuar të dëmtuarit, mirëpo ka mohuar se kishte qëllim që atë ta privonte nga jeta.

Ndërsa, dy të akuzuarit e tjerë, Eldrin Margataj dhe Ilirian Margataj, kanë deklaruar se nuk kishin marrë pjesë në rrahje, por që nuk e kanë mohuar prezencën e tyre në natën kritike.

Pasi të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë,  kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, i ka njoftuar ata dhe mbrojtësit e tyre, që kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Gjurkaj, avokati Sali Mekaj, ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të hiqet masa e paraburgimit, pasi që sipas tij, ishin kryer të gjitha veprimet hetimore dhe në këtë rast, siç ka thënë ai, nuk ekziston shkaku për përsëritjen e veprës penale si bazë, e cila ishte marrë për vazhdimin e paraburgimit.

Një propozim të tillë, e ka kundërshtuar prokurori Agron Galani, duke arsyetuar se familjet e të pandehurit dhe të dëmtuarit ende nuk janë pajtuar ndërmjet vete.

Ndërsa, prokurori Galani nuk e ka kundërshtuar propozimin që të akuzuarit Mergataj, të lirohen nga masa e arrestit shtëpiak.

Për të pandehurin Gjurkaj, gjykatësi Sharraxhiu, ka thënë se në lidhje me propozimin për ndërprerje të paraburgimit, do të vendos me vendim të veçantë.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 18 tetor 2019, nga ora 14:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 22 gusht 2019, Vernor Gjurkaj akuzohet se më 22 qershor të këtij vitit në Pejë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake me të dëmtuarin Ardit Baloku, i pandehuri me dashje tenton ta privojë nga jeta.

Sipas aktakuzës, pasi të pandehurit Vernor, Eldrin dhe Ilirian ishin duke qëndruar në kafene në Pejë, kanë filluar të bëjnë me gjeste se kush kënd po e shikon.

Në aktakuzë thuhet se në një moment i pandehuri Gjurkaj dhe i dëmtuari Baloku, nxjerrin nga xhepi brisqet, duke e sulmuar njëri-tjetrin, me ç’rast Gjurkaj me brisk e godet të dëmtuarin në pjesën e shpinës dhe në regjionin e parakrahut, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Kurse, sipas aktakuzës, të pandehurit Eldrin dhe Ilirian Margataj akuzohen se me dashje kanë marrë pjesë në rrahje gjatë se cilës lëndime të rënda trupore ka pësuar i dëmtuari Baloku, e të cilat në momentin e shkaktimit kanë qenë të rrezikshme për jetën e të dëmtuarit. /BetimipërDrejtësi