Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje

20181011_090941(3)
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Tetor 11, 2018

Prishtinë – I akuzuari për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, Meriton Mustafa, është deklaruar i pafajshëm në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, ka thënë se ky gjykim do të fillojë rishtas, ku pas deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, seanca e së enjtes ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.

Prokurorja e rastit Javorka Prilinçeviq, deklaroi se mbetet pranë deklaratave të dhëna më parë dhe pranë aktakuzës.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Merita Stublla-Emini, deklaroi se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që i mbrojturi i saj ka dashur dhe ka pasur motiv të privojë nga jeta të dëmtuarin.

“Ne jemi në anën e drejtësisë, dhe jemi pjesë aktive në zbardhjen e rastit”, deklaroi avokatja Stubla-Emini.

Ajo propozoi që të ftohet eksperti mjekoligjor dhe i dëmtuari, ngase në mendimin e ekspertit  ai kishte thënë se për vlerësimin e pasojave eventuale, mund të flitet vetëm pas shërimit të plotë të të dëmtuarit, dhe pas kalimit të periudhës prej gjashtë muajsh.

Propozimin e tillë e aprovoi kryetarja e trupit gjykues, ndonëse tashmë kishin kaluar 12 vite, nga rasti.

Në këtë seancë ka qenë e paraparë të dëgjohet i dëmtuari Kasim Haliti, por sipas gjykatëses Hasaj-Hyseni ai  ishte ftuar në mënyrë të rregullt dhe kishte pranuar ftesën, por nuk ishte paraqitur në gjykatë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 5 nëntor, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut, më 5 korrik 2007, Meriton Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë nga neni 146, dhe veprën penale mbajtje në pronësi, kontrolle, posedim të paautorizuar të armës, nga neni 328 par 2 i KPPK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mustafa, më 11 janar 2007, në fshatin Kërpimeh të Komunës së Podujevës, me të vërejtur tani të dëmtuarin Kasim Haliti, se po kalon rrethojën e murit të oborrit të tashmë të pandehurit, me revole shiu dy herë në drejtim të të dëmtuarit, me qëllim që ta privojë nga jeta.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka kryer edhe veprën penale armëmbajtje pa leje, ashtu që, nga  periudha e pacaktuar deri më 12 janar 2007, ka mbajtur pa autorizim revolen e tipit “Zastava”.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale të tentim vrasjes, nga neni 146 lidhur me nenin 20 të KPPK-së, dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontrolle dhe  posedim të paautorizuar të armës” nga neni 328 par2 i KPPK-së.