Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për sulm ndaj zyrtares policore në shtator të 2015-tës

Gjykata45-2-620x275
Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prill 12, 2021

PrishtinëI akuzuari për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, Fatmir Fetahu është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Menduhi Kastrati, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjyqtari Adnan Kamberi e ka njoftuar të njëjtin lidhur me të drejtën për kundërshtimin e provave dhe paraqitjen e kërkesës për hudhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 14 shtator 2016, Fatmir Fetahu po akuzohet se me 11 shtator 2015, rreth orës 11:20, deri sa një grup protestuesish të Lëvizjes Vetëvendosje kanë hyrë në objektin e ish-Rilindjes në Prishtinë dhe kanë dëmtuar 53 vetura zyrtare të cilat kanë qenë të parkuara në oborrin e ish-Rilindjes, dhe deri sa njësitet policore kanë dhënë urdhër verbal që personat e dyshuar të ndalohen dhe mos të dëmtojnë veturat, Fatmir Fetahu nuk i ka zbatuar urdhrat e policisë, duke e sulmuar fizikisht personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, të sigurimit të rendit publik.

Sipas aktit akuzues, Fetahu e ka sulmuar të dëmtuarën-policen e Republikës së Kosovës, Vjosa Zeqiri duke e kapur për dorën e majtë në shuplak dhe më pastaj i ka përdredhë dorën dhe më pas e ka goditur në gjoks, ku e njëjta ka pësuar lëndime të lehta trupore, si ndrydhje të indeve të buta në regjionin e dorës së majtë të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mbrretës (jo i mbprehtë), me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, Fatmir Fetahu po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi