Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për sulm ndaj inspektorit Komunal të Prishtinës

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 12, 2021

Prishtinë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Xhafer Plakiqi.

Pasi që është lexuar aktakuza nga prokurori Zef Prendrecaj i akuzuari Plakiqi nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo nuk e pranoj, unë kur kom fol diçka aj ka reagu, edhe unë kur kom shku ne polici kom pas shenja te grithnes. Edhe unë kom plot dëshmitar që jonë banor aty, që s’ka qenë ashtu”, tha ai.

I akuzuari ka hequr dorë nga paraqitja e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave që gjenden në të, duke i propozuar gjykatës që të shkohet drejt në shqyrtimin gjyqësor.

Ai i ka propozuar gjykatës që për seancën e radhës si dëshmitarë të ftohen dëshmitarët Frank Karaqi dhe Besim Maqani.

Lidhur me këtë prokurori Prendrecaj ka propozuar që para dëgjimit të dëshmitarëve të propozuar nga i akuzuari, tu jepet mundësia të akuzuarit dhe të dëmtuarit për dërgimin e lëndës në ndërmjetësim.

Sipas prokurorit nëse në seancën e radhës nuk arrihet pajtimi ndërmjet palëve për dërgimin e lëndës në ndërmjetësim atëherë ai do të deklarohet rreth propozimit të akuzuarit për dëgjimin e  dëshmitarëve Karaqi dhe Maqani.

Andaj gjykatësja Lumnije Krasniqi seancën e radhës e ka caktuar më 12 shkurt në orën 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Xhafer Plakiqi akuzohet se më 13 korrik 2015 në rrugën “Agim Ramdani” blloku A-2 në Prishtinë, i ka sulmuar personat zyrtar të Inspektoratit Komunal të Prishtinës, Mentor Ajvazi, Jahir Abazi dhe Votim Emini të cilët ishin në kryerjen e detyrave zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, të dëmtuari kishin qenë duke e ekzekutuar një vendim për rrënimin e pllakës së betonit ku i akuzuari fillimisht i ka fyer dhe sharë personat zyrtarë e pastaj inspektorin Mentor Ajvazi e ka kapur për fyti, me ç’rast kanë ndërhyrë kolegët e tij dhe i kanë ndarë.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi