Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për shpërndarje të urrejtjes ndaj popullit shqiptar duke thënë “Vrite shqiptarin”, “Kosovën do ta lajmë me gjak”, “Kosova është Serbi”

Jovanoviq
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Korrik 19, 2021

Prishtinë – I akuzuari për nxitje të përçarjes dhe mos durim, Risto Jovanoviq është deklaruar i pafajshëm në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu, i akuzuari Jovanoviq nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë nuk ndihem fajtor, por nëse kam thënë naj fjalë më vjen shumë keq”, ka thënë ai.

Në fjalën hyrëse, prokurori Kodraliu ka thënë  se aktakuza e ngritur është e bazuar mirë në provat, si dhe sipas tij, me provat që do të administrohen do të vërtetohet se në veprimet e të akuzuarit janë manifestuar elementet qenësore të veprës penale të nxitjes së urrejtjes.

Ai i ka propozuar gjykatës që ta aprovoj aktakuzën dhe të procedohet më tutje me shqyrtim gjyqësor.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Jovana Petkoviq, në fjalën hyrëse ka thënë se nuk ka prova se i akuzuari e ka kryer veprën për të cilën po ngarkohet.

Ajo gjykatës si provë i ka dorëzuar një CD, në të cilën sipas saj shihet se i akuzuari Jovanoviq nuk ka pasur përmendim që ta kryej veprën për të cilën po ngarkohet.

Tutje, në këtë seancë, mbrojtja ka hequr dorë nga ushtrimi i ankesës në Gjykatën e Apelit, pasi që gjykata e shkallës së parë e ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Pas kësaj, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve Musa Zajac, Shëndrit Behrami dhe Faton Fetahu, mirëpo publikimi i deklaratave të dëshmitarëve është ndaluar me aktvendim nga  gjykatësja Vlora Pacolli.

Ndërsa, për dëgjimin e dëshmitares Jehona Magjiq,  e cila nuk ka prezantuar në seancë, prokurori Kodraliu ka hequr dorë nga dëgjimi i saj, pasi që sipas tij, me dëgjimin e dëshmitarëve të lartcekur është vërtetuar mjaftueshëm gjendja faktike.

Pas kësaj, gjykimi ka vazhduar me administrimin e provave materiale ku janë shikuar CD e propozuara nga prokuroria dhe mbrojtja.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2021, Risto Jovanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit” e sanksionuar nga neni 141 paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se me datë 28 qershor 2021, rreth orës 14:00 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, respektivisht tek monumenti i “Gazimestanit”, i akuzuari, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që gjatë manifestimit te përvjetorit të njohur si “Vindov Dan”, i njëjti publikisht dhe në prezencën e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, ka brohoritur, “Vrite shqiptarin”, “Kosovën do ta lajmë me gjak”, “Kosova është Serbi”, kurse para gazetarëve dhe mediave të pranishme ka deklaruar se “shqiptarët do ta kenë ngushtë”, duke rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje mes grupeve etnike dhe fetare në territorin e Republikës së Kosovës”.