Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për shpërdorim të pasurisë së huaj, thotë se veturën e kishte blerë me çmim prej 10 mijë euro

IMG_7322
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 12, 2021

Prishtinë – I akuzuari për shpërdorim të pasurisë së huaj, Betim Tahiri është deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestarë të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pasi që është konsideruar e lexuar aktakuza, i akuzuari Tahiri ka thënë se nuk e ndjen veten fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “BetimipërDrejtësi”.

Ai ka shtuar se është në njohuri për rastin, por që sipas tij veturën e cila është objekt i aktakuzës e kishte blerë në shumën prej 10,000€ dhe disa nga dëshmitarët nuk i njeh fare.

“Kisha pas dëshirë ta ceki që disa dëshmitar që ceken këtu, as nuk i njoh as nuk kanë të bojnë me këtë punë e as nuk jon kon, po i paskan qit ma vonë këtu. Edhe vlera e kerrit që ceket 20 mijë euro, unë i kom të gjitha dokumentet i kam që e kom ble atë kerr 10 mijë euro, kam dëshmitarë i kam shka i kom dhon për këtë kerr, i kam të gjitha”, tha i akuzuari Tahiri.

Meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja Lumnije Krasniqi e ka njoftuar atë se në afat prej 30 ditësh ka të drejtë të paraqes kërkesën për hudhje të aktakuzës si dhe kundërshtimin e  provave që gjenden në të.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23 tetor 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Betim Tahirit të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 330 par.3 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, në fund të vitit 2015 në rrugën “28 Nëntori” në Prishtinë, i akuzuari në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, në atë mënyrë kur i dëmtuari Islam Selimi, veturën e tij të tipit “Infinit G35”, ia kishte besuar të pandehurit me qëllim që ta dërgoj te një mjeshtër, një shok i tij në Suharekë që rregulloj pasi që kishte pasur disa defekte në veturë.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari makinën nuk e ka rregulluar, por e ka mbajtur me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e ka përvetësuar për vete duke ia dhënë një borxhliu si kompensim dhe pas asaj kohe përkundër përpjekjeve të dëmtuarit, i pandehuri nuk ia ka kthyer kurrë veturën në fjalë, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë rreth 20,000€.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 330 par.3 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi