DEKLAROHET I PAFAJSHËM I AKUZUARI PËR SHPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Muharrem Leka i akuzuar për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit”, deklaroi se është plotësisht i pafajshëm për veprën penale që i ngarkohet. Çështja penale ndaj Lekës, ri-filloi nga pika zero pasi që lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, prokurori i shtetit Shukri Jashari në bazë të rekomandimeve të shkallës së dytë, propozoi trupit gjykues, të kryesuar nga Musa Konxheli që në seancën e radhës të ftohen përfaqësuesi, respektivisht avokati publik i Komunës së Kaçanikut, pastaj përfaqësuesi i Drejtorisë së Rrugëve të Kosovës – Ministrisë së Infrastrukturës si dhe propozoi që të urdhërohet kryerja e ekspertizës për të konstatuar vlerën e dëmit të shkaktuar.

Propozimet e prokurorit, i pandehuri Muharrem Leka i kundërshtoi me arsyetimin se sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të datës 11 prill 2016, thuhet se Gjykata Themelore në Ferizaj duhet të vërtetojë se Komuna e Kaçanikut a ishte pronar i parcelës në fjalë, pastaj për të vërtetuar legjitimitetin pasiv të palës së dëmtuar konkretisht Komunës së Kaçanikut, përfaqësues i së cilës ka qenë tani i akuzuari Muharrem Leka. Po ashtu, ai deklaroi se në shkresat e lëndës ekzistojnë prova dhe fakte të mjaftueshme me të cilat sipas tij vërtetohet se kush ka qenë pronar i ngastrës kadastrale në fjalë. Ndërsa përkitazi me këto propozime, pas marrjes së vendimit trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli, me aktvendim aprovoi propozimet e prokurorit Jashari.

Me këtë përfundoi shqyrtimi gjyqësor ndërsa seanca e radhës nuk u caktua për ndonjë datë konkrete.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, akuzon të pandehurin Muharrem Leka për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” sepse në cilësinë e avokatit publik të Komunës së Kaçanikut, me qëllim që vetes dhe paditësve t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Kaçanikut, ka shpërdor pozitën zyrtare duke tejkaluar kompetencat. Prokuroria pretendon se këtë vepër e ka kryer në atë mënyrë që nuk ka ushtruar ankesë ndaj një aktgjykimi, i cili më pas ka shkaktuar dëme për Komunën e Kaçanikut. Sipas Prokurorisë, pas pranimit të aktgjykimit të ish-Gjykatës Komunale më Kaçanik C.nr.41/2006 të datës 12 dhejtor 2007, me të cilin aktgjykim ishte aprovuar kërkesë padia e paditësve Mendu Bushi, Enver Bushi dhe Habib Bushi, përmes të cilit ishte vërtetuar se të njëjtit ishin bashkëpronar me 1/3 të pjesës ideale të paluajtshmërisë me sipërfaqe prej 0.20.40 ha, duke  detyruar të  paditurin MTPT – Drejtoria e Rrugëve të Kosovës, në Prishtinë dhe Komunën e Kaçanikut të pranojnë të drejtën e pronësisë së paditësve. Pas pranimit të aktgjykimit më 21 dhjetor 2007, Muharrem Leka, si avokat publik i komunës, nuk kishte parashtruar ankesë ndaj këtij aktgjykimi dhe i njëjti ishte bërë i plotëfuqishëm më 9 janar 2008, edhe pse në shqyrtimin kryesor ka kundërshtuar kërkesë padinë e paditësve me ç’rast përfitimi pasuror i kundërligjshëm dhe dëmi i shkaktuar Komunës së Kaçanikut tejkalon shumën mbi 5000 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë