Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për shmangie nga tatimi

70459466_2385218088401439_2744677190988726272_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Shtator 11, 2019

Ferizaj – I akuzuari për shmangie nga tatimi, Basri Hasani, është deklaruar i pafajshëm, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Avdullah Abedini, i akuzuari Hasani, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk është e vërtetë që unë i kam ikur tatimit”, ka thënë i akuzuari Hasani.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit, Adem Shabani, e ka njoftuar atë se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të paraqes kundërshtimet për provat e paraqitura në aktakuzë, si dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Ndryshe, në këtë seancë, nuk ka prezantuar asnjë përfaqësues i të dëmtuarës, Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), njësia në Ferizaj.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Basri Hasani, akuzohet se në periudhën kohore tetor 2011 – dhjetor 2013, si pronar i subjektit N.SH.T “Euro Flot”, në fshatin Greme të Ferizajt, me qëllim t’i shmanget pjes­ërisht pagesës së tatimit, nuk ka bërë deklarimin e TVSH-së edhe pse ka qenë deklarues i TVSH-së.

Gjithnj­ë sipas aktakuzës, i pandehuri nuk ka deklaruar tatimin në të ardhura individuale, si dhe tatimin e mbajtur në burim dhe kontributet për këtë periudhë kohore, me të cilin rast ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 26.001,64 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “shmangja nga tatimi” neni 249 par 2 lidhur me par 1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi