Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për rrezikim të trafikut publik

Foto 10.01.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Janar 10, 2019

Malishevë – I akuzuari për rrezikim të trafikut publik, Sylejman Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bajram Kryeziu, i akuzuari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet.

Gjykatësi i çështjes Lulzim Paçarizi, njoftoi të akuzuarin se në afat prej 30 ditësh ka të drejtë të bëjë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 14 shkurt 2019, në ora 13:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 1 mars 2017, Sylejman Krasniqi akuzohet se më 18 nëntor 2016, rreth orës 17:00, në magjistralen Malishevë-Prishtinë, derisa ka qenë duke e drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, e ku ka rrezikuar pasurinë dhe jetën e të dëmtuarit, Agron Hoti.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me të arritur në afërsi të fshatin Carallukë, në Malishevë, nga pakujdesia bënë kthim majtas, në mënyrë të pasigurt, duke ia marrë përparësinë e kalimit automjetit të të dëmtuarit Hoti, dhe nga pamundësia që t’i shmanget aksidentit, me pjesën e parme ballore e godet në pjesën e parme anësore  të anës së djathtë automjetin e të dëmtuarit Agron Hoti.

Sipas aktakuzës, me këtë të dëmtuarit Hoti i shkakton dëme materiale dhe lëndime të lehta trupore, e po ashtu lëndime të lehta trupore i shkakton edhe pasagjeres Krenare Hoti, të konstatuara nga ekspertiza mjekoligjore.

E me këto veprime i akuzuari, akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, par.6 lidhur me par.1, të KPRK-së.