Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për punime ndërtimore të kundërligjshme

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për veprën penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme, R.I.

Një deklarim të tillë i akuzuari I. e bëri të premten, gjatë seancës së shqyrtimit të dytë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai po akuzohet se gjatë vitit 2014, si punëdhënës i firmës “Ridi Exclusive” SH.P.K, me seli në Lipjan, person përgjegjës me rastin e mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve, ka vepruar në shkelje të ligjit dhe në kundërshtim me standardet profesionale ku gjatë punimeve të një objekti nuk ka vendosur pajisjet mbrojtëse të sigurisë, me ç‘rast është rrëzuar i dëmtuari H.S, duke pësuar dëmtime të rënda trupore.

I. e ka mbështetur dhe është pajtuar plotësisht me deklaratën që ka dhënë paraprakisht mbrojtësi i tij, avokati Shpetim Sadiku lidhur me kundërshtimet ndaj provave në aktakuzës dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit I., avokati Shpetim Sadiku ka thënë se mbesin pranë kundërshtimit të dhënë me shkrim, duke shtuar se konsiderojnë që kundërshtimet e dhëna në formë të shkruar janë të bazuara dhe propozojnë gjykatës që të njëjtat t’i miratojë si të bazuara duke propozuar që të hudhet aktakuza pasi që nuk janë përmbushur kushtet dhe elementet e veprës penale.

Në anën tjetër, prokurori Besnik Jakupi ka thënë se, mbetën pranë aktakuzë së ushtruar pasi që e njëjta sipas tij, është ngritur mbi dyshimin e mirë bazuar, me ç’rast i propozoj gjykatës që propozimin e mbrojtësit ta hudh si të pabzauar.

Në fillim të seancës, gjykatësi Selman Salihi, ka konstatuar se mbrojtësi i të akuzuarit I., avokati Sadiku ka paraqitur kundërshtim ndaj provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Në këto, rrethana seanca e shqyrtimit të dytë u konsiderua e përfunduar, ndërsa seanca e shqyrtimit gjyqësor u shty për kohë të pacaktuar, derisa gjykata të shqyrtojë kundërshtimet e mbrojtësit të të akuzuarit I, avokatit Sadiku.

Gjykatësi Selman Salihi shtoi se, gjykata do të marrë aktvendim dhe pasi që i njëjti të bëhet i formës së prerë, atëherë do të caktohet seanca e shqyrtimit kryesor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 17 dhjetor 2019, i akuzuari R.I. po ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, nga neni 368 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1, i Kodit penal.

Në aktakuzë thuhet se, më datë 9 nëntor 2014 rreth orës 17:05, në rrugën ” Haxhi Kleçka” në Lipjan, i pandehuri si punëdhënës i firmës “Ridi Exclusive” SH.P.K, me seli në Lipjan, edhe person përgjegjës me rastin e mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve, ka vepruar në shkelje të ligjit dhe në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara nga nenet 5, pika 1,3, dhe 6, pika 1.2.3 si dhe neni 21 pika 1 dhe 2, pastaj nen pikat 2.1 deri në 2 5, i Ligjit Nr. 04/L-161, për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës.

Sipas aktakuzës, në atë mënyrë që, gjatë ndërtimit të objektit banesor nuk i ka vendosur pajisjet mbrojtëse të sigurisë apo ndonjë shenjë paralajmëruese për rrezik tek ashensori i cili nuk ishte i montuar në pyrg, për çka ka rrezikuar dhe dëmtuar jetën e të dëmtuarit H.S., i cili ka qenë duke punuar në terrasën e jashtme.

Siç thuhet në aktakuzë, në momentin kur i dëmtuari futet brenda përmes shkallëve të korridorit të kalon në katin e parë për shkak të mungesës së ndriçimit elektrik edhe të mbrojtëseve të sigurisë gabimisht, kalon në anën e majtë në drejtim të ashensorit ku përmes hapësirës së ashensorit rrëzohet nga kati i pestë në katin e parë dhe bien në tokë mbi disa paleta të drurit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë