Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për posedim të narkotikëve

fotoja (2)
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Gusht 27, 2019

Lipjan – I akuzuari për posedim të narkotikëve, Çlirim Ahmeti, është deklaruar i pafajshëm, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, i akuzuari ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për veprën për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësja e të akuzuarit sipas detyrës zyrtare, avokatja Nazmije Aliu, ka deklaruar se e mbështet deklaratën e klientit të saj, duke shtuar se mbrojtjen ndaj tij do ta parashtrojë në shqyrtim gjyqësor.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi i kësaj çështje Avdirrahman Gashi, atë e ka udhëzuar që deri në shqyrtimin gjyqësor të paraqesë kundërshtim ndaj provave në aktakuzë si dhe kërkesë për hudhjen e saj.

Kurse, seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar për 30 shtator 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 4 shkurt 2019, i akuzuari Ahmeti po akuzohet se e ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 par 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se më 21 nëntor 2018, rreth orës 8:10, në hyrjen e portës 2 të Qendrës Korrektuese në Lipjan, ku të miturit e Qendrës Edukativo Korrektuese vijojnë mësimin, i akuzuari pasi që nga oficeri policor i është kërkuar që të bastiset, ka vendosur në një tavolinë në hyrje të portës 2, një qese e mbështjellë me najlon ngjyrë të zezë.

Sipas aktakuzës, kjo qese ka përmbajtur substancë narkotike, e llojit marihuanë, me peshë 6.67 gramë. /BetimipërDrejtësi