Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për pjesëmarrje në grup terrorist në Siri dhe angazhim në Batalionin e Snajperistëve

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Në Departamentin Special, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Skender Qerimi, i njohur me nofkën “Ebu Dher” është deklaruar i pafajshëm për akuzat për pjesëmarrje në grup terrorist.

Këtë deklarim, i akuzuari Qerimi e ka bërë të martën, në seancën e shqyrtimit fillestar, pas leximit të aktit akuzues nga prokurori special Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në këtë fazë, nuk e pranoj fajësinë”, deklaroi i akuzuari.

Ai nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) po akuzohet se ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it (Islamic State of Iraq and al-Sham), në qytetet Mosul, Zumer e Sedfaruk, ku thuhet se ka qenë i angazhuar edhe në Batalionin e Snajperistëve.

Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, kryetarja e trupit gjykues e njoftoj atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Ilir Rashiti, se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale në nëntor të këtij viti, Skender Qerimi po akuzohet se së bashku me të ndjerët A.U dhe V.Q me paramendim, me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Kosovës ku përmes lidhjeve të caktuara ka arritur në qytetin Urfa, ku janë pritur nga personat e ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se pasi i akuzuari ka arritur qytetin Urfa, ai ka depërtuar në qytetin Raka dhe pas regjistrimit në ISIS ka vijuar trajnimet fizike, taktike dhe luftarake, i pajisur me uniformë ushtarake të ISIS-it dhe me pushkë automatike AK-47.

Tutje, sipas aktakuzës Qerimi akuzohet se ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it në qytetet Mosul, Zumer e Sedfaruk ku ka qenë i angazhuar edhe në Bataljonin e Snajperistëve.

Sipas aktit, akuzues ai në fund ai ka qëndruar tek Forcat Demokratike Siriane, ku më 17 korrik 2021 është riatdhesuar në Kosovë.

Me këto veprime, i pandehuri Qerimi po akuzohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 par 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme sipas këtij kodi prej pesë deri në dhjetë vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë