Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për lëndim të lehtë trupor

66378496_2440926972663646_1856770918190153728_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Korrik 11, 2019

Ferizaj – I akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Ymer Tusha, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Pas deklarimit të tij se ka kuptuar aktakuzën, i akuzuari Tusha, ka mohuar fajësinë duke thënë se nuk e ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon akti akuzues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e mohoj se kam dashur ta godas, mirëpo nuk kam mundur ta qëllojë sepse ai ka ikur”, deklaroi i akuzuari Tusha.

Gjykatësi i rastit, Shabi Idrizi, e ka njoftuar të akuzuarin se ka të drejtën e kërkesës në afat prej 15 ditësh për hudhjen e aktakuzës dhe ankesës për kundërshtim të provave.

Gjyqtari Idrizi, njoftoi se seanca radhës do të mbahet më 21 gusht 2019, duke filluar nga ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 25 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Ymer Tusha, me arsyetimin se ai më 18 dhjetor 2018, rreth orës 20:10, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Ekrem Pacolli.

Në aktakuzë pretendohet se derisa i dëmtuari ka qenë i parkuar me veturën e tij dhe kishte hyrë në “Western Union” për të bërë një pagesë, i akuzuari Tusha i ishte drejtuar me fjalët “çka keni kërkuar që më keni ardhur këtu”, ku dhe e godet me një çelës të rrotave në krahun e djathtë, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore.

Me këtë, Ymer Tusha po akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 paragrafi 2 nënparagrafi 1.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi