Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për lëndim të lehtë trupor

53790469_517334985460013_553416667917451264_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Mars 14, 2019

Kamenicë – I akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Emrush Shabani, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Ai po akuzohet se në qershor të vitit të kaluar, derisa i dëmtuari Burish Selishta ishte në pronën e të akuzuarit në Kranidell të Kamenicës, i parkuar me veturën e tij dhe duke i pritur rojet e pyllit, i shkakton lëndime të lehta trupore atij, duke e dëbuar nga aty.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit Rozelida Manastiri, i akuzuari Shabani, ka mohuar fajësinë duke thënë se nuk e ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon akti akuzues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo, se kam prekë me dorë. A e ke prekë ti, aq unë. Mas pari, ky në pronë tem u kanë, unë jam shku në traktor mi marrë drutë, se drutë i kam pas qatje. Shkelqimi u kanë aty”, deklaroi i akuzuari Shabani.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, prezent ishte edhe i dëmtuari Burish Selishta, i cili në fjalën e tij deklaroi se ai i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit dhe se gjithashtu kërkon kompensim material për lëndimet e shkaktuara.

Gjykatësi i rastit, Sadri Krasniqi, e ka njoftuar të akuzuarin se ka të drejtën e kërkesës në afat prej 15 ditësh për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Për seancën tjetër, gjykatësi Krasniqi, njoftoi palët se do të vendoset kur të plotësohen kushtet për mbajtjen e saj.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 13 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Emrush Shabani, me arsyetimin se ai më 19 qershor 2018, rreth orës 11:14, në Kranidell të Kamenicës, në vendin e quajtur “Te arat e Tahit” i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Burish Selishta.

Në aktakuzë pretendohet se derisa i dëmtuari ka qenë i parkuar me veturën e tij “Kia Sorento” së bashku me Shkelqim Sejfullahun, në pronën e të akuzuarit duke i pritur rojet e pyllit, i akuzuari nuk e lejon të dëmtuarin të qëndrojë aty, ku fillimisht e fyen me fjalë banale, pastaj e dëbon nga aty duke e kapur me dorë në krahë në pjesën e majtë të gjoksit, i cili për shkak të lëndimeve të lehta trupore ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Roganë të Kamenicës.

Me këtë, Emrush Shabani po akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Repubikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi