Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte gjatë vitit 1999 në Pejë

20190711_103354
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 11, 2019

Prishtinë – I akuzuari për krime lufte gjatë vitit 1999 në Pejë, Zoran Djokic, është deklaruar i pafajshëm, në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Habibe Salihi, i akuzuari Djokiq ka deklaruar se e ka lexuar aktakuzën edhe në gjuhën serbe dhe nuk ka nevojë për sqarime shtesë, pasi ka thënë se e kupton atë, duke e mohuar fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi të.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Arben Hoti, e ka udhëzuar atë dhe mbrojtjen e tij, për të drejtën e tyre për paraqitjen e kundërshtimeve për provat në aktakuzë dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjykatësi Hoti, deklaroi se prokurorja Salihi ka përmbushur obligimin lidhur me provat, derisa Salihi, deklaroi se mbrojtja kishte kërkuar që të kishte shkresat edhe në gjuhën shqipe në mënyrë që të bënte krahasimin e tyre, dhe të njëjtat ua dorëzoi në gjykatore.

Shqyrtimi i dytë pritet të mbahet më 14 gusht, me fillim nga ora 10:00.

Ndryshe, seanca fillestare në këtë rast ishte paraparë të mbahej më 21 qershor, mirëpo nga Qendra e Paraburgimit në gjykatore nuk ishte sjellë i akuzuari, Zoran Djokic.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2019, i pandehuri Zoran Dokic, akuzohet se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake ka shkaktuar vuajte të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitja e një qyteti ose vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që duke bashkëvepruar me personat deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen e lartcekur dhe kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, ashtu që me të arritur te shtëpia e Hilmi Zeqiraj, tanimë i ndjerë, i pandehuri me personat e paidentifikuar kishin hyrë dhunshëm në shtëpi e tani të ndjerit dhe derisa i njëjti  kishte qenë në shtëpi, së bashku me familjen e tij dhe vëllait të tij, Skenderit, tani i ndjerë, dhe me familjen e të dëmtuarit Shaban Kaliqani, serbët kishin detyruar familjarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Akti akuzues thotë se fillimisht e kishin rrahur të dëmtuarin Kaliqani, pastaj i kishin maltretuar tan të ndjerët e lartcekur, i kanë plaçkitur, detyruar të ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre duke ia marrë arin e familjes, pastaj në oborrin e kësaj shtëpie fillimisht e rrahin përsëri të dëmtuarin Kaliqani, në atë mënyrë që e godasin në fytyrë dhe ia thyejnë dhëmbët. Ndërsa, thuhet se të dëmtuarin Skender e detyrojnë të shkojë për të siguruar të holla, e në ndërkohë e vrasin Hilmi Zeqiraj dhe me të arritur Skender Zeqiraj e sheh vëllain e vrarë, në gjendje të keqe, fillon të bërtas dhe detyrohet t’ua dorëzojë 1000 marka dhe më pas i detyrojnë të largohen nga shtëpia ku ishin.

Pasi dalin jashtë shtëpisë, sipas aktit akuzues, Skenderi e Shabani takojnë Bashkim Berishën, tanimë i ndjerë, të cilin paramilitarët serb e kishin detyruar të largohet nga shtëpia, me të arritur te dera e Asllan Mulës, përafërsisht 70 metra nga ku u vra Hilmiu, i kanë ndarë nga kolona e qytetarëve shqiptarë të cilët i kishin larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Tutje, thuhet se i pandehuri Zoran i ka ndaluar që të tretë, Skenderin, Bashkimin e Shabanin, duke i detyruar të kthehen me fytyre nga ai, me tu afruar që të tretë një metër përpara tij, iu kishte drejtuar  Skenderit e Bashkimi “ju dy hyni brenda” në oborrin e Asllan Mulës.

Sipas aktakuzës, Skenderin e Bashkimin i kishte futur brenda në oborr 4 -5 metra, pastaj me kallashnikovë ka gjuajtur në drejtim të tyre, duke i lënë të dytë të vdekur. Në aktakuzë thuhet se ai i është drejtuar Shabanit me fjalët “ngaj çka po pret”, e atëherë i dëmtuari Shaban duke vepruar sipas urdhrit të pandehurit arrin të largohet, rrugës takon Riza Mamaj, tanimë i ndjerë, i cili ishte me një karrocë në dorë, të cilën paramilitarët e pyesin se ku ishte nisur, derisa i njëjti u tregon, vazhdon rrugën me karrocë për në shtëpinë e kushëririt, të njëjtin e gjuan me armë në gjoks dhe i njëri rrëzohet mbi karrocë dhe vdes, pastaj Shabani vazhdon rrugën dhe vendoset fillimisht në shtëpinë e babait të tij për tu larguar të nesërmen për në Mal të Zi.

Me këtë, i akuzuari pretendohet se ka kryer veprat penale, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, që ndiqet sipas nenit 152, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës dhe nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, që ndiqen sipas nenit 153, paragrafi 1, nën paragrafët, 2.1,2.2,2.5,2.8,2.13 dhe 2.15 dhe nenit 3 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi