Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kanosje, thotë se ai vet është ndier i kërcënuar

GJTH Peje Foto
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Korrik 27, 2020

Pejë – I akuzuari për kanosje, Orhan Lukaj është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sadije Muriqi, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që e ngarkon akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë nuk e ndiej vetën fajtor se vet unë e kom thirr policinë për këtë rast, sepse e kom ndier veten të kërcënuar nga Mustafë Nikqi”, ka thënë i akuzuari Lukaj.

Në këto rrethana, gjyqtari Ahmet Rexhaj e njoftoi të pandehurin që në afat prej 30 ditësh ka të drejtë të paraqesë kërkesë me shkrim për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas tij, seanca e shqyrtimit të dytë do të caktohet brenda afatit ligjor.

Ndryshe, në bazë të aktakuzës së ngritur me 9 shtator 2019, Orhan Lukaj akuzohet se me 16 korrik 2019, në Pejë, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin Mustafë Nikqi, të njëjtin e ka kanosur me fjalë përmes rrjetit social “Viber”, me ç’ rast  i ka shkaktuar frikë dhe panik.

Andaj në bazë të këtyre veprimeve, Orhan Lukaj akuzohet për veprën penale ‘‘kanosja”, nga neni 181, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi