Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për fajde në Mitrovicë, për 10 mijë euro i dëmtuari thuhet se pagoi interes 55 mijë euro

sfdf
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Qershor 24, 2020

Mitrovicë –  I akuzuari për fajde, Isak Smakolli është deklaruar i pafajshëm në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ujkani, i akuzuari ka mohuar të ketë kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Në këto rrethana, gjykatësi Avni Mehmeti e ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Mahmut Halimi, se në afat prej tridhjetë ditësh mund të paraqesin kundërshtimet lidhur me aktakuzën.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 22 mars 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Isak Smakolli.

Sipas aktakuzës, me 15 mars 2013,dhe 23 prill 2013, i pandehuri ka kontraktuar një shumë  dukshëm jo proporcionale të pasurisë me këmbim të shërbimit për personin tjetër, e atë të dëmtuarit Faruk Beqiri, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të këtij të fundit, i cili për shkak të pamundësisë se pagesës dhe shlyerjes së borxhit ndaj bankave dhe administratës tatimore, i pandehuri i ka dhënë të dëmtuarit para hua, dy herë nga pesë mije euro, me afat kthimi të pacaktuar.

Siç thuhet në aktakuzë, pas dy muajve i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit t’ia kthej paratë brenda pesë ditëve, duke i thënë se prej atij momenti ishte në fajde, ku i ka kërkuar 20% kamatë mujore të shumës 10,000 euro. ç ‘rast i dëmtuari i ka paguar të pandehurit interes në shumë prej gjithsej 55,000 euro, e që ka rezultuar me humbjen financiare të dëmtuarit dhe dobi pasurore të pandehurit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja”,  nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi