Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për asgjësim apo dëmtim të pasurisë

Raporton: Edmond MARLEKU

Klinë – Omer Rushiti, i akuzuar për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Muharrem Bajraktari, Rushiti u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, prokurori Bajraktari ka kërkuar që të bëhet përmirësimi i aktakuzës, pasi që sipas tij është lëshuar një gabim, prandaj dhe i njëjti kërkoi që emri i qytetit Pejë të zëvendësohet me atë Klinë.

Në këto rrethana, gjykatësja e rastit, Sabrije Rraci mori aktvendim që seanca të ndërpritet për në kohë të pa caktuar.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 20 maj 20818, në orën 19:30 në Pejë, përkatësisht në udhëkryqin e magjistrales Pejë-Prishtinë-Klinë, Omer Rushiti asgjëson pasurinë e personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se pas përfundimit të ndeshjes futbollistike në mes të Klubit Futbollistik (KF) “Prishtina” dhe KF “Drita”, e zhvilluar në stadiumin e Pejës, i pandehuri si tifoz i KF “Prishtinës”  (Plisat), pasi që vendoset në autobusin e tifozëve dhe niset në drejtim të Prishtinës, me të arritur në vendin e ngjarjes, i njëjti zbret nga autobusi dhe e sulmon veturën “BMW”, të cilën ishte duke e drejtuar i dëmtuari Ramadan Rafuna, tifoz i KF “Drita”, duke ja thyer xhamin e prapmë, me çka i shkakton dëme materiale të dëmtuarit.

Për këto veprime, Omer Rushiti, akuzohet se ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 333, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë